Aktualitet

Komisioni i Kuvendit mbylli hetimin për Metën, nuk u miratua marrja me forcë!

Komisioni Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta mbylli hetimin dhe sot kryetari socialist, Alket Hyseni prezantoi provat që ka administruar ky organ. Meta refuzoi të paraqitet dhe anëtari Myslim Murrizi pyeti se si veprohet kur një person publik nuk vjen të dëgjohet në komision hetimor?

A ka masa detyruese për ta sjellë në komision?

Relatorja Klotilda Bushka  tha se “Bëhet fjalë për një proces parlamentar i cili është një mekanizëm i parashikuar nga Kushtetuta dhe nga rregullorja e Kuvendit për të hetuar çështje të rëndësive të veçanta dhe shkarkimin e Presidenti kur kjo kërkohet sipas parashikimeve në ligj”.

Komisioni Hetimor vepron në bazë të ligjit për Komisionet Hetimore. Sipas rregullores së Kuvendit por dhe ligjit është detyrimi i Komisionit Hetimor ta thërrasë Presidentin të dëgjohet. Sigurisht ky Komision Hetimor vepron edhe në bazë të rregullave të Procedurës Penale dhe sipas rregullave nëse pas disa thirrjeve personi nuk paraqitet mund të thërritet me forcë, duke përdorur ato parashikime që i jep Kodi i Procedurës Penale.

Anëtari i Komisioni Hetimor, Spartak Braho propozoi që Presidenti Ilir Meta të merret forcërisht e të dëgjohet në komision. Braho i kujtoi kohën kur ai ishte kryeministër që kishte thirrur me dhunë Sali Berishën.

Presidenti ka detyrimin të sillet edhe me forcë, por është edhe çështje vullneti. Ai nuk ka vullnet të njohë Kuvendin, të njohë Komisionin Hetimor e jo më të përgjigjet për kërkesat e Parlamentit. Ky president nuk ka karakter. Më kujtohen ngjarjet e viteve të shkuara kur Meta ishte kryeministër, e mori me dhunë “mister debulesën”, Berishën. Ashtu si Berisha e ka marrë Metën me dhunë në ’94-ën në ngjarjet e Poliçanit. Pse nuk vjen sot, i thirrur nga Komisioni Hetimor? Ky veç të tjerash akuzohet për thirrje me dhunë dhe për dhunë. I mungon Komisionit Hetimor vullneti për ta thirrur? Meta duhet të thirret me dhunë nesër, kështu që ta votojmë këtë propozim! Ky është mendimi im!

Vasilika Hysi tha se nuk ishte dakord me propozimin e Brahos për t’u thirrur Presidenti i Republikës më forcë.

Ne kemi theksuar që për shkak të ngarkesës që ka presidenti në këtë periudhë ta zgjidhe vetë ditën dhe orën. Unë nuk jam që ta thërrasim me forcë. Në këtë moment nuk duhet të tregojmë para publikut të gjerë shfaqje që nuk janë aspak në të mirë, qoftë për qytetarët, për imazhin e Republikës Parlamentare, për imazhin e institucionit, pasi boll është dëmtuar imazhi!

Edhe anëtari i Komisionit Hetimor, Myslim Murrizi deklaroi se është kundër thirrjes me forcë.

Për sot e kuptoj mosardhjen e tij. Besoj se do ketë shkuar në Përmet për nder të kongresit të parë të komunistëve. Gjatë fushatës kam parë që i ka vlerësuar, dekoruar trashëgimtarët e tyre. Për sot besoj se do jetë në funksion të zgjedhjes së kryetarit të PD-së se edhe ata sot e fillojnë!

Kryetari i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni tha se “kërkesa për të ardhur në seancë dëgjimore është bazuar në dy momente juridike, momenti i parë e drejta që ka personi nën hetim, në këtë rast Presidenti dhe detyrimin që ka ky komision për ta thirrur e dëgjuar”.

Për ne e rëndësishme është thellësia e hetimit. Do hedh për votim propozimin për të mbyllur procedurën, hetimin, dakord të gjithë!