Aktualitet

Korçë, lihet në burg ish-kryekomisari Stiljan Pasho/Dyshohet për përfshirje në trafik narkotikësh!

Gjykata lë në burg ish-kryekomisarin Stiljan Pasho, i dyshuar si i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Dyshohet se Pasho, i cili u përjashtua nga Policia e Shtetit dy ditë më parë, shfrytëzoi pozitën si shef i Policisë Kufitare Korçë, për të favorizuar trafikimin e lëndëve narkotike në Pikën Kufitare Kapshticë.

Rasti i fundit ishte më 27 nëntor, kur favorizoi shtetasin Lorenco Lika të kalonte kufirin pa iu nënshtruar kontrollit kufitar në automjet. Madje, e shoqëroi personalisht Likën për të kaluar mjetin tip “Passat” nga pala shqiptare drejt kufirit grek, duke e kaluar edhe vetë kufirin. Droga ndodhej në pjesën e bombolës së gazit në bagazh.

Po ashtu, rezultoi se ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe në disa raste të tjera, fakte të provuara nga sistemi TIMS e po ashtu nga verifikimi i kamerave të sigurisë.

Në një tjetër zhvillim, një 31-vjeçar u vu në pranga dhe babai i tij nën hetim, pasi iu gjetën monedha ari e shuma parash, në fshatin Kutalli të Beratit.

Njoftimi i policisë:

Gjatë kontrollit në banesën e 31-vjeçarit D.V, u gjendën 5 monedha ari, një pajisje metalkërkues dhe 56 mijë e 650 euro, që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme. Ndërsa në shtëpinë e 56-vjeçarit B.V u gjetën një armë gjahu dhe disa fishekë, që posedoheshin pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Ndërkaq, në veri të vendit, një 19-vjeçar u vu në pranga pasi tentoi t’u largohej policëve në Vaun e Dejës. Raportohet se i riu u kap disa minuta më vonë dhe gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjet një çantë me 5 krehra me fishekë luftarakë, që i posedonte pa leje.

Njoftimi zyrtar:

Municioni luftarak është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip “Benz” ku udhëtonte 19-vjeçari E.J nga fshati Kuç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.