Bota

Koreja e Veriut hedh dy raketa balistike, ndërkombëtarët të alarmuar!

Koreja e Veriut bëhet edhe më kërcënuese, hedh dy raketa balistike në ujërat e bregut lindor të Gadishullit Korean. Përmes një deklarate, Seuli zyrtar njofton se autoritetet e inteligjencës koreano-jugore e amerikane po analizojnë detajet, ndërsa Koreja e Jugut ka forcuar pozicionin mbikëqyrës ndaj vendit komunist të udhëhequr nga Kim Jong-un.

Hedhja e raketave vjen pak ditë pasi Pheniani njoftoi se ka testuar raketa lundrimi me rreze të gjatë veprimi, por balistiket janë edhe më kërcënuese e ndalohen nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA i cilësoi “armë strategjike me rëndësi të madhe”.

Raketat goditën me sukses objektivat, gjatë provave më 11 e 12 shtator dhe më pas ranë në ujërat territoriale të vendit.

Ushtria amerikane tha se provat e kryera nga Koreja e Veriut në fundjavë paraqesin “kërcënime” për fqinjët, si dhe më gjerë. Koreja e Veriut është nën sanksione ndërkombëtare për armët bërthamore e programet e raketave balistike, për të cilat thotë se i duhen për të mbrojtur veten kundër pushtimit të mundshëm amerikan. Por, nuk i ndalohet të zhvillojë raketa lundrimi. Këto të fundit janë avionë pa pilotë që lëvizin në atmosferën e tokës duke përdorur motorë jet. Për shkak të ngritjes aerodinamike, në pjesën më të madhe të fluturimit mbështeten në ajër e synojnë të dërgojnë predha artilerie ose koka luftarake.

Raketat balistike konsiderohen më kërcënuese se të lundrimit që fluturojnë më ulët, pasi mbajnë më shumë ngarkesa, rrezen e veprimit e kanë më të gjerë dhe shpejtësinë e fluturimit, më të lartë.

Pavarësisht krizës ekonomike e në veçanti ushqimore, Koreja e Veriut vazhdon të jetë në gjendje të zhvillojë armë. Për vendin komunist aziatik, raketat konsiderohen armë me domethënie të rëndësishme.