Aktualitet

Koronavirusi i prek shëndetin mendor, hidhet nga dritarja pacienti në Sanatorium

Humb jetën pacienti 52 vjeçar, u hodh nga kati i katërt i Sanatoriumit i shëndërruar në spital Covid2, ku trajtohen të sëmurët më rëndë nga koronavirusi. Viktima Preng Gjoni me origjinë nga Tropoja por me banim në Tiranë ndodhej prej një jave i shtruar. Policia deklaron se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 3:10 të mëngjesit të sotëm.

Ky është rasti i tretë brenda pak muajsh që pacientët në spitalin Shefqet Ndroqi në Tiranë vetvriten. Më herët, ishte një 65-vjeçar nga Klosi dhe një 29-vjeçar nga Durrësi që në gjendje të rënduar psikologjike e shëndetësore ndërmorën aktin ekstrem.

Ndërkaq ngjarja tragjike vjen teksa situata nga koronavirusi vjen duke u rënduar. Ministria e Shëndetësisë informoi se në 24 orët ee fundit janë 7 viktima dhe 241 raste të reja. Lajmi i mirë është shërimi i 92 persona duke e çuar totalin në 11.189. Ndërkaq raste aktive janë 9.177.