Politikë

Koronavirusi në qendër të replikave Rama-Basha

Vijojnë replikat Rama-Basha rreth situatës së koronavirusit. Kreu i Partisë Demokratike iu drejtua kryeministrit, duke i thënë se ka mungesë informacionesh se çfarë ndodh në spitalet Covid në Tiranë, të vetmet që merren me trajtimin e pacientëve me koronavirus. Kjo sipas Bashës ka sjellë kolaps nga mbingarkesa dhe për pasojë daljen e situatës jashtë kontrollit.

Kryeopozitari i bëri thirrje kreut të Qeverisë të bëjë gati paketën e tretë të ndihmës, dhe të mos fabrikojë informacione për të hequr vëmendjen nga gjendja e pandemisë në vend. Përmes një fotoje të shtretërve bosh në një prej spitalet Covid në Tiranë, Kryeministri Rama i përgjigjet nga rrjetet sociale akuzave të kreut demokrat:

“Basha vazhdon të dizinformojë përditë se “spitalet janë në kolaps, shtretërit plot, njerëzit dergjen nëpër dysheme, s’ka mjekë e infermierë”, s’ka asgjë përveç Lulëzimit që ka recetën magjike të ndaljes së infeksionit! Kjo është padiskutim një situatë e vështirë, po ku nuk është? Lulëzim Basha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha, ëndërrojnë pikërisht ato që thonë, por përsëri do të zhgënjehen e do të ndëshkohen nga populli!” -thotë ndër të tjera Rama.