Rajoni

Kosova miraton rezolutën për hetimin ndërkombëtar të sulmeve në Banjskë!

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë të dakordësuar më herët dhe që dënon sulmin ndaj policisë, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Dokumenti thekson nevojën e një hetimi ndërkombëtar. Rezoluta u miratua me 97 vota pro, asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Në prezantimin e saj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se institucioni që drejton e dënon me ashpërsinë më të madhe sulmin ndaj policisë së Kosovës e shtoi:

Dënojmë sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës e nga komuniteti ndërkombëtar kërkojmë të ushtrojë ndikimin e tij që Serbia të ballafaqohet me rolin e saj në raport me organizimin dhe çfarëdo mbështetjeje që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës.

Në rezolutë vlerësohet edhe bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR në “aksionin e përbashkët, për t’i zmbrapsur e asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veriun e vendit”.

Në Kuvend, kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për sanksionim e ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin në Banjskë. Sipas tij, nëse kalon pa u ndëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin.

Ndër të tjera, Albin Kurti apeloi që Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës, siç veproi Prishtina më 29 qershor. Besohet se ato veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, shumicë në këtë zonë. Kurti i falënderoi të gjitha shtetet që e dënuan sulmin ndaj Policisë së Kosovës, si dhe për mbështetjen e ofruar.

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila bëri thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur sipas saj, “është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës”.

E diela që lamë pas, shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër. Kusari-Lila fajësoi Serbinë për sulmin.

Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe këtij krimi… u kuptua se Serbia as nuk ka ndryshuar, as nuk e fsheh faktin që ka mbetur Serbia e [ish-liderit Sllobodan] Millosheviçit, vetëm se ndikimin e ka më të vogël dhe fushëveprimin më të ngushtuar.

Kryetari i subjektit opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, bëri thirrje për hetim ndërkombëtar për të vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.

Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikën tonë, adresën kryesore e ka në Beograd.

Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e terroristëve nga Serbia, të cilët  kanë kryer sulmin mbi shtetin tonë.

Kryetari i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se synimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë krijimi i një realiteti të ri në veri. Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj sulmit ka qenë “më e përshtatshmja e mundshme”.

Faktet janë të qarta: Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk ka vrarë një polic të shtetit tjetër. Nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër. Në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur, pasi kanë vrarë një polic të shtetit tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare.