Rajoni

Kosovë, hyjnë në fuqi masat anti-COVID!

Masat anti-COVID të miratuara në fund të nëntorit nga qeveria, sot futen në fuqi në Kosovë.

Qytetarët që hyjnë atje duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit të plotë, teste negative apo dëshmi se e kanë kaluar koronavirusin. Pas datës 3 janar 2022 duhet të kenë dëshmi të vaksinimit të plotë apo të një doze, bashkë me test negativ PCR ose një dozë dhe dëshminë e kalimit të sëmundjes.

Me masat e reja, shtetasve të Kosovës e atyre me qëndrim të përkohshëm iu jepet “mundësia të vaksinohen nga ekipet e lëvizshme, të vendosura në pikat kufitare tokësore, si edhe në aeroportin “Adem Jashari”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, bëri thirrje për vaksinim të qytetarëve si masë mbrojtëse kundër koronavirusit.

Nga paraqitja e dëshmive të vaksinimit e testeve për COVID, përjashtohen personat që kalojnë tranzit në Kosovë, ata nën 12-vjeç, si dhe kush ka dëshmi mjekësore se nuk mund të vaksinohet. Dëshmia e vaksinimit të plotë do të kërkohet edhe për personat që përdorin transportin publik. Mbajtja e maskës vazhdon të jetë detyruese. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes vijon nga mesnata deri në orën 05:00. Muzika ndalohet pas orës 21:30 e restorantet mund të qëndrojnë hapur deri në 23:00.

Kryeministri Albin Kurti tha se situata epidemiologjike në Kosovë është e qetë, por mund të rrezikohet nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron, që po përhapet nëpër botë. Shefi i qeverisë së Prishtinës, veçon 4 rreziqe:

Kthimin e emigrantëve për festat e fundvitit, situatën e rëndë epidemiologjike në shtetet nga vijnë, shkallën e ulët të vaksinimit me të dyja dozat në Kosovë dhe shfaqjen e variantit të ri të koronavirusit, i njohur si Omicron e që po rezulton më lehtësisht i transmetueshëm se Delta. Masat kufizuese do shtrëngohen apo lehtësohen në varësi nga situata epidemiologjike.