Rajoni

Kosovë, KQZ: Mbi 3 mijë fletëvotime nga diaspora refuzohen!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë deklaroi se janë refuzuar 3 mijë e 435 zarfe me fletëvotime nga diaspora. Arsyet janë të ndryshme, ku disa janë dërguar nga persona të paregjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë periudhës së aplikimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi gjithashtu se nga 11 mijë e 653 fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8 mijë e 212 zarfe. Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të nisë procesi i numërimit të votave të ardhura me postë nga diaspora në Kosovë, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Përveç votave nga diaspora KQZ-ja nuk ka nisur as procesin e numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Në bazë të rezultateve të parakohëshme , zgjedhjet e 14 shkurtit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.