Aktualitet

KQZ publikon të dhënat e pjesëmarrjes në zgjedhje deri në orën 08:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para të ardhura nga qendrat e votimit lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e sotëm zgjedhor.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, deri në orën 08:00, nga të dhënat e raportuara nga 921 qendra votimi, kanë votuar 3.37% e qytetarëve. Në të gjithë vendin janë 5199 qendra votimi në të 12 qarqe.

Në total në zgjedhjet e 25 prillit janë të regjistruar 3 588 869 qytetarë shqiptarë që kanë të drejtën e votës, ndërsa 107 mijë e 24 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Në pjesën e shpërndarjes së bazës materiale nuk është konstatuar asnjë lloj problematike e të gjitha qendrat e votimit ishin të pajisura.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj që përmendi edhe disa problematika të tjera:

Pati disa qendra votimi që nuk ishin të pajisura me operatorë që do të përdornin pajisjen e identifikimit elektronik të zgjedhësit. Ato ndodhen në zona të thella, me infrastrukturë të vështirë por nuk ka problematikë sa i përket votimit pasi procesi në këto raste vijon si procedurat e mëparshme, në mënyrë manuale. Nga 5.199 qendra votimi ka patur problematika në rreth 230 prej tyre. Problematika ndoshta edhe për shkak të presionit por edhe ndoshta për shkak të mospjesëmarrjes së operatorëve në trajnime të organizuara nga KQZ, problematika në përdorimin e pajisjes PEI. KQZ po merr masa që të zgjidhen e votimi të vazhdojë.