Bota

Kreu i CIA-s në Katar për bisedime mbi luftën Hamas-Izrael dhe pengjet!

Me shpresën për ta kthyer një armëpushim të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit në një marrëveshje më të qëndrueshme, presidenti amerikan, Joe Biden dërgoi në Lindjen e Mesme një nga zyrtarët e tij më të besuar e me ndikim. Një zyrtar amerikan konfirmoi për Zërin e Amerikës se drejtori i CIA-s, William Burns, dje udhëtoi drejt Katarit për bisedime të nivelit të lartë, “përfshirë diskutimet për pengjet”.

CIA nuk pranoi të bënte komente për udhëtimin, që fillimisht u njoftua nga gazeta The Washington Post. Mediat cituan burime diplomatike, sipas të cilave, “në Doha, Burns takoi kreun e agjencisë izraelite të zbulimit, Mossad e zyrtarë të Katarit dhe Egjiptit”.

Zyrtarët e lartë amerikanë e kanë mbështetur Izraelin pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, që vrau rreth 1 mijë e 200 vetë, shumica civilë. Por, Shtëpia e Bardhë kërkon edhe lirimin e personave të marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit, duke përshëndetur armëpushimin 5-ditor, gjatë të cilit janë liruar 70 pengje, në këmbim të lirimit të 150 palestinezëve nga burgjet izraelite.

Paul Pillar, një ish-oficer i lartë i CIA-s, i cili tani jep mësim në Universitetin Georgetown, u shpreh:

Për momentin, objektivi i administratës është zgjatja e armëpushimit sa më shumë të jetë e mundur dhe lirimi i sa më shumë pengjeve.

Pillar i tha Zërit të Amerikës se William Burns “është në pozitë të mirë për të ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi”.

Ai është një diplomat me përvojë dhe shumë i respektuar, brenda e jashtë vendit. Ndoshta, Burns ndodhet vetëm një hap larg asaj që ka qenë linja kryesore e politikës së administratës Biden që nga sulmi i 7 tetorit, mbështetja e plotë për Izraelin.

Ky është udhëtimi i dytë brenda një muaji i Burnsit në Lindjen e Mesme. Në të parin, në fillim të nëntorit, ai vizitoi shumë vende ku zhvilloi bisedime me homologët e zbulimit, të përqendruara në fillimin e negociatave për lirimin e pengjeve dhe parandalimin e përhapjes së konfliktit Izrael-Hamas në rajon.

Por, ndonëse përpjekjet për të zgjatur armëpushimin e për të liruar më shumë pengje mund të dominojnë këtë raund bisedimesh, disa ish-zyrtarë mendojnë se drejtori i CIA-s do të diskutojë edhe për hapat që duhen ndërmarrë pas mbarimit të luftës.

Mund të ketë diskutime midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Egjiptit dhe vendeve të tjera e për atë që do të ndodh më pas me Hamasin, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.