Aktualitet

Kreu i Këshillit Europian Michel: Prioritet hapja e negociatave të anëtarësimit me Tiranën e Shkupin!

Në selinë e Bashkimit Europian nisi Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Me kolegët nga rajoni, mes tyre kryeministri Rama, 27 kryetarë të shteteve e qeverive europiane po diskutojnë sfidat me të cilat përballen, veçanërisht nën dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës. Pas samitit, liderët e Unionit do të rimblidhen pasdite, për të diskutuar zgjerimin, përfshirë mundësinë e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit Shkupit e Tiranës.

Në fund të samitit, liderët europianë pritet të miratojnë konkluzionet, ku për herë të parë pas një kohe të gjatë do të konfirmojnë “angazhimin e qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE” dhe do të bëjnë thirrje lidhur me përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, theksoi se “në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor”. Michel konfirmoi se “momentalisht, prioritet është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë”, si dhe “vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se “samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen europiane”.

Ndërsa në Bruksel kryeministri Rama tha sot se nuk pret të zgjidhet gjë në Bullgari, eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi i bën thirrje parlamentit bullgar e të gjitha palëve, të përmbushin angazhimet! Varhelyi iu kërkon që sot të vendosin për miratim propozimin për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, siç edhe u propozua më herët.

Nga BE-ja, Tirana trajtohet e pandarë nga Shkupi sa i përket procesit të integrimit europian, por për Maqedoninë e Veriut gjërat nuk janë shumë të thjeshta. Për 17 vjet, vendi fqinj ka qenë kandidat për anëtarësim në BE e vetëm në korrik të 2020-ës, Komisioni dha miratimin në parim për negociatat e anëtarësimit. Por, për Shkupin nuk përfundoi me kaq, pasi ishte Bullgaria që i vuri veto, për shkak të përplasjeve mbi çështje të karakterit historik.