Aktualitet

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu drejt shkarkimit?

Ende pa përfunduar afati 100 ditor që kryeministri Edi Rama caktoi për një performancë ndryshe në Policinë e Shtetit, duket se shefi i qeverisë shqiptare është duke planifikuar lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Burime qeveritare thonë se tashmë largimi Ardi Veliut është  një çështje e kristalizuar në mendjen e Ramës. Ndërkaq, shtojnë se duhet pritur mbledhja e radhës e qeverisë që zhvillohet nesër, për të parë nëse ministrat do të kenë mbi tavolinë vendimin e shkarkimit të Ramës për Ardi Veliun.

Prej ditësh brenda radhëve të Policisë së Shtetit flitet për një shkarkim të mundshëm të Ardi Veliut.

Kandidatët potencialë që mund t’i propozohen kryeministrit Rama janë drejtori aktual i antiterrorit Gledis Nano i certifikuar nga partnerët ndërkombëtarë, kreu i Forcës së Ligjit Edmond  Rizai, drejtori aktual i  SHÇBA, Muhamed Rrumbullaku, si dhe Ardian Çipa bashkë me  Ervin Hoxhën.

Për shkarkimin e mundshëm të Veliut u fol dhe sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare ku ishte i pranishëm Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Deputeti i opozitës, Luan Baçi e ka pyetur nëse shkarkimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka ndonjë gjë të vërtetë, Çuçi u përgjigj me nota humori:

Do e merrni vesh në kohën e duhur, kur t’i mbarojë kandili!