Aktualitet Bota

Krim në një familje shqiptare në SHBA, 34-vjeçari vret bashkëshorten dhe tenton të rrëmbejë vajzën!

Një krim brenda familjes në një familje shqiptare ka ndodhur në Clearwater të Floridas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku 34-vjeçari shqiptar Renato Muhaj vrau gruan e tij Suela Saliaj për arsye të paqarta deri më tani.

Ngjarja ndodhi gjatë ditës së hënë, kur policia u njoftua për një konflikt brenda familjes. Mediat amerikane raportojnë se autoritetet shkuan në vendngjarje dhe brenda shtëpisë gjetën të vrarë Suela Saliajn 32 vjeçe.

Por në apartament nuk ishte autori i dyshuar, bashkëshorti Renato Muhaj dhe as vajza e mitur e çiftit. Policia ngriti menjëherë alarmin për rrëmbimin e një fëmije.

Në banesë ishin vetëm prindërit e autorit, të cilit ishin goditur nga djali i tyre dhe u ishin marrë telefonat që të mos lajmëronin policinë. Ata u treguan autoriteteve dinamikën e ngjarjes.

Ndërkohë, një aksion për arrestimin e autorit dhe gjetjen e fëmijës nisi në shkallë të gjerë.

Rreth orës 8:30 të mëngjesit, autoritetet mundën të gjenin një Kia Sportage ari të vitit 2017, automjeti që besohet se drejtohej nga Muhaj me vajzën e tij brenda,  tha shefi i policisë Loux.

Policia gjeti në makinë Renato Muhajn dhe vajzën e tij. Renato u dërgua në paraburgim ndërsa  fëmija është i sigurt dhe tani është me anëtarët e familjes.

Autoritetet nuk kanë thënë ende nëse kishte një urdhër ndalimi përpara se të gjendej trupi i Saliajt, por thanë se të dy jetonin në vende të ndara. Ata gjithashtu nuk dhanë detaje për motivin e vrasjes.

Departamenti i Policisë Clearëater thotë se Renato Muhaj do të përballet me akuza shtesë për sulm të rëndë, ndërhyrje të një dëshmitari dhe burgim të rremë.

Suela jetonte prej disa vitesh në SHBA, ku kishin emigruar më pas dhe prindërit si dhe vëllai i saj.

Në profilin e saj në Linkedin, Suela liston një sërë aftësish të saj, ndërkohë që ka më shumë se 5 vite eksperiencë në shërbimin e klientit në banka.

Motivet e krimit të rëndë nuk dihen ende, për shkak se policia ka qenë tepër e rezervuar në dhënien e informacioneve.