Bota

Krimet e dyshuara të luftës në Ukrainë, GJNP nis hetime!

Gjykata Ndërkombëtare Penale, GJNP dërgoi një ekip prej 42 anëtarësh në Ukrainë, për të hetuar krimet e dyshuara të luftës ruse. Prokurori Karim Khan:

Ne kemi dërguar një ekip prej 42 hetuesish, ekspertësh mjeko-ligjorë dhe personel mbështetës në Ukrainë, për të çuar përpara hetimet tona ndaj krimeve që janë në juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Gjithashtu, Karim Khan theksoi se “ky është dislokimi më i madh që mund të ketë ndodhur ndonjëherë”.

Ekipi do të fokusohet në mbledhjen e dëshmive që lidhen me sulmet ushtarake që mund të përbëjnë krime sipas Statutit të Romës. Po ashtu do të jetë në kontakt me autoritetet ukrainase e të tjerë përfaqësues në vend për të siguruar vazhdimësinë e punës në lidhje me identifikimin e mbetjeve, analizën balistike dhe ruajtjen e provave mjeko-ligjore.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të paktën 3 mijë e 668 persona u vranë dhe 3 mijë e 896 të tjerë u plagosën në Ukrainë që kur Rusia filloi luftën pushtuese më 24 shkurt.

Në një tjetër zhvillim, shefi për Europën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë ngriti alarmin lidhur me ofrimin e kujdesit shëndetësor në Ukrainë gjatë luftës me Rusinë. Hans Kluge bëri thirrje që të hetohen mbi 200 sulme ndaj ndërtesave shëndetësore.

Kluge dha alarmin edhe për numrin e lartë të personave që duhen trajtuar me ilaçe e me ndihmë psikologjike, ndërsa janë shtuar rastet e dhunës seksuale, si dhe ka rrezik për shpërthimin e kolerës në zonat ku luftohet.

Deri tani, OBSH-ja ka konfirmuar 226 sulme kundër sistemit të kujdesit shëndetësor në Ukrainë. Kjo nënkupton se që prej 24 shkurtit kanë ndodhur tre sulme në ditë.

Nga këto sulme u vranë të paktën 75 persona dhe 59 u plagosën. Ato nuk justifikohen, duhet të hetohen!

Rusia mohon se sulmon civilët dhe shënjestron infrastrukturën joushtarake në Ukrainë, por një mori provash të servirura nga Kievi zyrtar e Perëndimi po tregojnë të kundërtën.