Bota

Kriza e karburanteve në Britani, angazhohet ushtria!

Për të zgjidhur krizën e furnizimit me karburante në Britani, qeveria vendosi të angazhojë edhe ushtrinë. Britanikët u përfshinë nga paniku i blerjes së shpejtë, për shkak të informacioneve për mungesën e shoferëve të cisternave që furnizojnë pompat e karburanteve. Shumë pompa në të gjithë vendin mbetën pa furnizime, pasi njerëzit mendonin se nga pamundësia e transportit, nuk do të kishin karburant, ndonëse rafineritë kanë sasi të mjaftueshme.

Në radhët e ushtarakëve, 150 drejtues cisternash do të furnizojnë pompat me karburant.

Angazhimi i personelit ushtarak do t’i sigurojë zinxhirit të furnizimit kapacitete shtesë, si një masë e përkohshme për të ndihmuar në lehtësimin e presioneve të shkaktuara nga rritja e kërkesës për karburant.

Britanisë së Madhe i mungojnë më shumë se 100 mijë shoferë kamionësh e cisternash, duke i shkaktuar probleme disa industrive, përfshirë furnizuesit e ushqimeve e të supermarketeve. Si masë për të zgjidhur krizën, Qeveria ka lehtësuar politikat e rrepta të emigracionit pas BREXIT-it, duke ofruar heqje vizash afatshkurtra për shoferët e kamionëve të huaj.

Operatorët e karburantit, përfshirë Shell, BP dhe Esso iu bënë thirrje të gjithëve, të blejnë karburant si zakonisht. Kritikët fajësojnë mungesën e veprimit të kabinetit Johnson në trajtimin e mungesave të shoferëve të kamionëve. Pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian në janar dhe pandemisë koronavirus, shumë shoferë të huaj u larguan nga vendi.

Gjithashtu, për t’i paraprirë të papriturave, njerëzit po blejnë më shumë ushqime e të tjerë artikuj, nga frika se gjatë festës së Krishtlindjeve nuk do të ketë furnizim të bollshëm.