Rajoni

Kryediplomati serb, Daçiç: Amerika i kërkoi Albin Kurtit të formojë Asociacionin!

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më herët, zyrtarët amerikanë kanë thënë se si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet t’i plotësojnë të gjitha detyrimet e marra gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve e të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Prishtina u mësua të jetë e preferuara e Perëndimit dhe nuk është përballur me kërcënime deri tani. Këtë gjë që thanë amerikanët, nuk mund ta dëgjoni nga goja e europianëve.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta, Ivica Daçiç vlerësoi se tensionet në veri të Kosovës janë shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të autoriteteve në Prishtinë”.

Prandaj tani, në vend të normalizimit në Kosovë kemi përshkallëzim të dhunës. Zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë zgjidhje, por tani është më e rëndësishme të qetësohet situata.

Daçiç tha se qëllim i Beogradit është që serbët të kenë të drejtat e tyre.

Ne jemi të gatshëm ta mbrojmë popullin tonë, por shpresojmë se nuk do të ketë nevojë për këtë.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut u mblodh një grup qytetarësh shqiptarë, pavarësisht kërkesës së Policisë së Kosovës që të mos i përgjigjen thirrjes së postuar në mediat sociale për protestë dhe “marshim drejt veriut”. Mes dhjetëra të mbledhurve ka edhe qytetarë nga Shqipëria.

Disa prej tyre thanë se po protestojnë në “mbështetje të Policisë së Kosovës”. Pjesëtarë të policisë shihen të pranishëm në vendngjarje. Më herët, Policia e Kosovës tha se është vërtetuar se thirrjet për protestë të bëra në mediat sociale, vijnë nga profile të dyshimta dhe mund të jenë me qëllime të këqija.

Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, deklaroi se thirrje të tilla “nuk  ndihmojnë” Republikën e Kosovës.