Politikë

Kryeministri Rama me të rinj në Tiranë, mesazh Presidentit Meta për patronazhistët

Sot në një takim me të rinj të Tiranës, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “patronazhistët e dinë shumë mirë se kush fshihet pas makinave me xhama të errët që shoqërojnë karvanin e opozitës”.

Mesazhi im për ata që merren me patronazhistët, duke filluar nga Ilir Meta është: patronazhistëve t’ju merrni të keqen! Ne ju njohim kush jeni e po vijmë pas jush. Më 25 prill, ju do ta shikoni sa mirë ju njohim ne! Edhe ju do të habiteni se kur votat të fillojnë të numërohen do ta kuptoni se pse ne ju kemi mundur, ju mundim dhe do t’ju mundim se PS-ja nuk është Edi Rama. Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë.

Rama shtroi pyetjen se kush gjendet brenda atyre makinave që shoqërojnë kreun demokrat?

Patronazhistët e dinë se kush janë aty brenda. Nuk ka xhama të zinj që ju fshehin sepse sytë e patronazhistëve janë me rreze lazer dhe ai opsioni Face Recognition është në sytë e çdo patronazhisti. Unë i them disa drejtuesve të SHIK-ut të kohës, drejtuesve të doganave dhe tatimeve të kohës, asaj kohe që nuk ka për t’u kthyer në 25 prill, disa shefave të asaj policisë së kohës që i lanë policët rrugëve duke ngrënë fara luledielli në kryqëzime dhe për vete e përdorën uniformën e policisë për grabitje. Ne e dimë se ju jeni në ato makina. Dhe kur them ne, jo regjimi, por patronazhistët.

Referuar Presidentit Ilir Meta, Rama bëri edhe një parashikim:

Bastet janë të ndaluara në Shqipëri, por me të mbaruar kjo do të vijë një klithmë nga Vlora. Vetë ai. Dhe do thotë: “Po më detyroni të bëj atë që s’e kam menduar kurrë, të përfshihem në fushatë bashkë me doktorin e madh, po më detyroni!”. Që ti je futur kokë e këmbë në fushatë këtë e di çdo patronazhist, por atë që ti nuk di dhe patronazhistët e dinë dhe nuk ka patronazhist që nuk e di është se ti do të dalësh nga kjo fushatë i rruar dhe i qethur!

Shefi i qeverisë shpjegoi edhe kuptimin e fjalës patronazhist.

Në këto ditë është lakuar shumë, por prej disave përdoret si fjalë për të krijuar idenë e një gogoli që ka dalë në Tiranë dhe vëzhgon, monitoron, kontrollon njerëz. Patronazhisti është figura kyçe e historisë së zgjedhjeve e përballjeve mes Partisë Republikane dhe Partisë Demokratike në SHBA. Le të thonë çfarë të duan ata por patronazhimi është klasa e parë e shkollës së madhe politike, ku kush ka ambicien, dëshirën, vullnetin, këmbënguljen për të shkuar në klasa më të larta e fillon nga patronazhimi.

Një javë më parë, opozita akuzoi maxhorancën se për qëllime zgjedhore ka publikuar të dhëna personale të qytetarëve nga portali e-Albania. Shumica i hodhi poshtë akuzat e SPAK-u nisi verifikimet.