Aktualitet

Kryeministri Rama: Megjithë vonesat për ligjin, pagat e rritura do të jepen që nga prilli!

Kryeministri Edi Rama ka pohuar se pati një ngërç me rritjen e pagave, por se qytetarët do ta marrin vlerën shtesë të të ardhurave që nga prilli, ashtu sikurse u ishte premtuar.

Gjatë një takimi elektoral në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 14 Majit, shefi i qeverisë sqaroi se “pavarësisht se ligji tashmë ndodhet në Parlament, deputetët kanë bllokuar për disa javë procesin”, me qëllim që ta bindnin atë që të rriste pagat edhe për ata dhe qeverinë. Por, sipas kreut të ekzekutivit, “kjo nuk ka për të ndodhur” dhe theksoi se ata do të jenë kategoria e fundit që do të pësojnë rritje.

Po ashtu, kryeministri nënvizoi se edhe nëse rritja e pagave ndodh një apo dy muaj me vonesë nga çfarë ishte parashikuar në maj-qershor, qytetarët do të marrin shtesën e pagës që nga prilli.

Kanë dalë tani dhe thonë “e shtyu Edi Rama rritjen e pagave”. Nuk kam shtyrë gjë unë fare. E para njëherë që pagat e mjekëve, të mësuesve, të punonjësve të sigurisë janë rritur dhe ata i marrin tani, të prillit i marrin tani në fillim të majit, siç ndahen.

E dyta, unë kam pasur një debat sepse për rritjen e të gjitha pagave të tjera duhet të bëhet ligji në Parlament. Unë kam patur një debat. Ligji është në Parlament, qeverisë dhe deputetëve duhet t’iu rriten pagat të fundit fare. Domethënë, vitin tjetër, kur të mbarojë rritja për të gjithë, edhe deputetëve, edhe qeverisë le t’i rriten pagat.

Deputetët duan t’i rrisin tani dhe është bllokuar për disa javë kjo punë sepse duhet të më bindin mua ose pastaj, nuk e di çfarë do të ndodhë, por kjo është arsyeja.  Ama, të gjithë duhet ta dinë se edhe nëse rritja e pagave bëhet në maj, edhe nëse rritja e pagave bëhet në qershor, të gjithë pagat do t’i marrin megjithë prillin dhe megjithë majin.