Aktualitet

Kryeministri Rama në Bruksel, fokusi te baza e NATO-s në Porto Romano!

Kryeministri Edi Rama zhvillon sot një vizitë në selinë e NATO-s në Bruksel, ku do të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
Sipas axhendës së publikuar në faqen zyrtare të Aleancës, pas takimit kokë më kokë, Stoltenberg dhe Rama do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp, në orën 13:15 minuta. Vizita është paralajmëruar edhe më herët nga shefi i qeverisë.

Krahas diskutimeve për situatën e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe koordinimin e bashkëpunimit mes aleatëve, Rama e Stoltenberg pritet të diskutojnë edhe për një bazë të re të Aleancës në Shqipëri. Më herët, Rama ka informuar në Bruksel do të diskutohet për propozimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një baze ushtarake të NATO-s në portin e ri të Durrësit, në Porto Romano.

Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD reagoi lidhur me projektin për portin ushtarak të NATO-s në Porto Romano.

Partia Demokratike deklaron se, ka mbështetur dhe mbështet plotësisht bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me NATO-n, si vend anëtar i saj, dhe çdo projekt, në det, tokë dhe ajër, që i nevojitet Aleancës së Atlanikut të Veriut në territorin e Shqipërisë. Ne, gjithashtu, informojmë NATO-n se, prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëravjeçar të Durrësit për në Porto Romano.

Ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie, në kundërshtim me çdo rregull, 1 milion metra katrorë territor të portit ekzistues të Durrësit. Sipas Ramës ky do të jetë truall për ndërtime si në Dubai City. Kjo marrëveshje, në të cilën dyshohet se kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive.

Gjendja aktuale e forcave të armatosura të Shqipërisë ka probleme tejet serioze, të cila lidhen para së gjithash me pagat e ulëta të ushtarakëve, mos investimin në infrastrukturë dhe buxhetin tejet të ulët të kësaj qeverie për ushtrinë. Kjo në kundërshtim me standardet e NATO-s.