Aktualitet

Kryeministri Rama: Sa të jetë e mundur do të lehtësojmë barrën e inflacionit të luftës!

Qeveria shqiptare zotohet të lehtësojë sa më shumë të jetë e mundur, barrën e inflacionit të luftës së Putinit kundër Perëndimit, duke mbrojtur njerëzit nga furtuna e çmimit të energjisë. Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama informoi se u ndanë detyrat bazë të aktivitetit që nis nesër, për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh botërisht. Jemi të detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke që vjen nga një agresion në dyert e Europës, që ka sjellë si pasojë përveç bombave e krimeve të panumërta në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë, produkteve bazë në gjithë botën.

Ky është një inflacion lufte, kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putini. Nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që solli inflacionin, i takon qeverisë dhe shumicës qeverisëse të bëjë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit e mbi shpatullat e familjeve.

Kryeministri informoi se “buxheti i vitit të ardhshëm është dyfish i atij të 2013-ës”.

Por, patjetër, ky dyfishim i buxhetit është mbi të gjitha i bazuar te domosdoshmëria për të vazhduar të mbështesim që të gjithë sa të jetë e mundur. Patjetër që do të vazhdojmë të qëndrojmë me këmbëngulje te plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Urojmë që të kemi edhe shiun e nevojshëm pasi dihet që ne jemi ende shumë të varur nga burimet ujore e duke pasur më shumë prurje shiu kemi më pak nevojë për të dalë në import.

Çështja është se në këtë epokë kërcënimi të madh, kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga gjithë ky kontekst kërcënues e kur duhet të përballemi me pasoja të diçkaje që është jashtë nesh dhe që vjen edhe tek ne, njësoj siç erdhën tërmeti e pandemia, na duhet të jemi sa më të qartë dhe sa më të vendosur, sa më të bashkuar e sa më të lidhur me partnerë dhe me aleatë të fuqishëm.

Do të ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst, por për fat të keq kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota. Nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave.