Bota

Kryeministri spanjoll Sanchez: Njohja e shtetit palestinez, në interesin gjeopolitik të Europës!

Në një fjalim në Parlamentin e Spanjës, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez iu tha deputetëve, se njohja e një shteti palestinez është në interesin gjeopolitik të Europës. Duke rikonfirmuar se Spanja mbetet gati për ta bërë këtë, por pa dhënë një datë, Sanchez theksoi se “përgjigjja absolutisht disproporcionale” e qeverisë izraelite të Benjamin Netanyahu ndaj “sulmit terrorist të Hamasit” më 7 tetor kërcënoi “të destabilizonte Lindjen e Mesme dhe rrjedhimisht gjithë botën”.

Edhe Australia mund të njohë shtetin palestinez. Qëndrimin e shprehu ministrja e Jashtme, Penny Wong, por vetëm nëse Hamasi nuk merr rol në qeverisje. Opozita dhe Federata Zioniste e Australisë thonë se ky veprim do të ishte i parakohshëm. Por, Kanbera shprehet se njohja e shtetit palestinez mund të vijë vetëm si pjesë e zgjidhjes me dy shtete, e ndërmjetësuar me Izraelin.

Wong tha se zgjidhja me dy shtete, sipas së cilës izraelitët dhe palestinezët do të jetonin krah për krah në vende të ndara është “shpresa e vetme për të thyer ciklin e pafund të dhunës”. Izraeli ka nisur një fushatë të ashpër të sulmeve në Gaza, enklavë e banuar me palestinezë. Kjo ndodhi që kur Hamasi sulmoi territorin e shtetit hebraik në tetor, duke vrarë mbi 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Izraeli ka thënë se do të hapë një vendkalim drejt Gazës veriore e një port me ujë të thellë, për të mundësuar qarkullimin e më shumë ndihmave në zonë. Por, nuk është e qartë se kur do të mund të ndodhin këto.

Në Amerikë, presidenti Biden është duke u përballur me presion të brendshëm për shkak të Izraelit. Gjatë javëve të fundit, ai e ka ashpërsuar retorikën edhe kundrejt kryeministrit Netanyahu. Por, furnizimet ushtarake, përfshirë bomba, raketa e municione kanë vazhduar të dërgohen nga Amerika në Izrael, pa ndërprerje.

Izraeli ka marrë ndihmë nga SHBA-të më shumë se çdo vend tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht e kanë mbrojtur Izraelin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe kanë vënë veto ndaj tri projekt-rezolutave për luftën në Gaza. Muajin e kaluar, Amerika abstenoi kur Këshilli i Sigurimit kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Gaza.