Bota

Kulmojnë krimet e urrejtjes në Amerikë kundër afro-amerikanëve e aziatikëve!

Në Amerikë, numri i krimeve të urrejtjes u rrit vitin e kaluar në nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë, i nxitur nga shtimi i sulmeve ndaj afrikano-amerikanëve dhe viktimave me prejardhje aziatike.

Të dhënat e FBI-së, të përmbledhura nga më shumë se 15 mijë agjenci të zbatimit të ligjit, identifikuan 7.759 krime të urrejtjes në 2020-ën, rritje prej 6% nga 2019-ta dhe niveli më i lartë nga 2008-ta.

Numri i veprave penale ndaj afrikano-amerikanëve u rrit në 2.755 nga 1.930 dhe incidentet kundër aziatikëve, në 274 nga 158.

Nga 7.426 veprat e krimeve të urrejtjes të klasifikuara si krime kundër njerëzve, në dallim nga ato kundër pronës, 53.4% ishin për kanosje, 27.6% për sulme të thjeshta dhe 18.1% ishin për sulme të rënda. 22 vrasje dhe 19 përdhunime u raportuan si krime urrejtjeje.

 

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland:

Parandalimi dhe reagimi ndaj krimeve e incidenteve të urrejtjes është një nga përparësitë më të larta të Departamentit të Drejtësisë. Statistikat e Krimeve të Urrejtjes të FBI-së për vitin 2020 tregojnë nevojën urgjente për një përgjigje gjithëpërfshirëse.

Departamenti i Drejtësisë ka paralajmëruar se grupet e supremacisë së bardhë përfaqësojnë një kërcënim në rritje ndaj sigurisë, pas sulmit vdekjeprurës të 6 janarit në Kongresin Amerikan.

Në të njëjtën kohë, sulmet e frymëzuara nga urrejtja ndaj amerikanëve aziatikë dhe nga ishujt e Paqësorit, gjithashtu ishin në rritje, të nxitura nga komentet e Donald Trump-it, i cili si president, fajësonte Kinën për pandeminë COVID-19.

Në maj, kryeprokurori Garland përshkroi hapa të rinj për të ndihmuar policitë e shteteve dhe ato lokale të gjurmojnë e hetojnë krimet e urrejtjes, që historikisht kanë qenë një krim i nën-raportuar në FBI nga forcat lokale të zbatimit të ligjit. Ai bëri thirrje që departamenti të përshpejtojë shqyrtimin e krimeve të mundshme të urrejtjes.

Një projekt-ligj për krimet e urrejtjes për të luftuar dhunën kundër amerikanëve aziatikë kaloi në Senatin Amerikan në prill, me mbështetje të madhe dypartiake.
Ligji caktoi një punonjës të Departamentit të Drejtësisë për të përshpejtuar një rishikim të krimeve të urrejtjes të raportuara në polici gjatë pandemisë së COVID-19/ës.