Rajoni

Kurti largohet sërish… lë Kuvendin e Kosovës për të pritur Lajçak në një takim të palajmëruar

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka mbërritur sot në mesditë në Kosovë, në një vizitë të palajmëruar.

Aktualisht Lajçak po zhvillim një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Zyra për shtyp e qeverisë së Kosovës njofton se largimi i papritur i Kurtit nga seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit ishte për shkak të ardhjes së të dërguarit të posaçëm të BE-së.

Detaje të tjera nuk u bënë të ditura.

Nga Bashkimi Evropian, vizita e Lajçakut nuk u paralajmërua më herët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se jo domosdoshmërisht komentojnë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon.

“Këto vizita pune, njësoj si ajo e sotmja në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, tha Stano në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

Lajçak dhe këshilltarët e Qeverisë gjermane e asaj franceze për dialogun qëndruan edhe të premten e kaluar në Prishtinë, ku, po ashtu, takuan Kurtin.

Pas atij takimi, Lajçak tha se bisedimet ishin “të thella dhe të rëndësishme”, por nuk dha detaje.

Tre diplomatët evropianë, javën e kaluar, takuan në Beograd edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se ata i kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun me Kosovën.

“Sipas tyre diplomatëve evropianë, dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, tha Vuçiq.

Ai, po ashtu, përsëriti se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë n negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Dy vendet kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Procesi i negociatave duhet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Në Kosovë këmbëngulin që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen reciproke; Serbia, tash për tash, refuzon.