Rajoni

Kushtëzohet ndihma europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor!

Eurodeputetët i dhanë dritën e gjelbër paketës 14.2 miliard euro, IPA 3, për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, mes tyre Shqipëria. Por, risi përbën fakti që këtë herë, rritet roli i Parlamentit Europian për të kontrolluar shfrytëzimin e fondeve dhe mundësia që të zvogëlohen e madje, të pezullohen, për ato shtete të cilat nuk respektojnë parimet e sundimit të ligjit.

Paratë që do të ndahen edhe për Kosovën, Bosnjen, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Turqinë deri në 2027-ën, synojnë t’i ndihmojnë të kryejnë reformat e kërkuara në procesin e para anëtarësimit europian.

Qëllimi i përgjithshëm i IPA III është të mbështeten vendet e rajonit në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike, për t’u përshtatur me vlerat e Bashkimit Europian e gradualisht të inkuadrohen me ligjet, standardet dhe politikat e Unionit.

Ky fond, mund të zvogëlojë apo të pezullojë asistencën, nëse respektimi i vlerave themelore ku përfshihen demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, shënon përkeqësim. Për pasojë, shfrytëzimi i fondeve nga IPA do të kushtëzohet me respektin e këtyre vlerave nga ana e shtetit përkatës.

Parlamenti Europian do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Komisionin Europian për të mbikëqyrur se si shpenzohen këto mjete. Bashkimi Europian është në fazën ku edhe për vendet anëtare, mjetet financiare do t’i kushtëzojë me respektimin e parimeve të sundimit të ligjit. Propozimi për 14.2 miliard euro për vendet e zgjerimit ishte dhënë para dy vjetësh, por procedura zgjati brenda institucioneve të Bashkimit Europian.