Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare, shtyhet projektligji “Për taksat kombëtare”!

Në seancën e sotme plenare u shty miratimi i projektligjit “Për taksat kombëtare”. Për deputeten demokrate Jorida Tabaku është “turp që Parlamenti të diskutojë ligjin që prek një prodhues”. Por, kolegu socialist Eduard Shalsi i vuri në dukje se po “dezinformon” dhe shtoi se duan të rregullojnë një gabim. Sipas tij, “maxhoranca i pranon gabimet dhe i rregullon” ndërsa opozita pretendon se është “e pagabueshme”.

Tabaku: Të diskutohet skema për fermerët. Diskutimet individuale për ligjin që prek vetëm një prodhues, ky parlament duhet të ketë turp që t’i diskutojë.

Shalsi: Keqardhje që Tabaku është e keqinformuar ose dezinformon. Do të të ftoja në takimet me grupet e interesit.

Nëse doni të bëjmë shërbim, më së paku duhet të merrni pjesë në diskutimet e Komisionit të Ekonomisë dhe po jua përsëris, kemi zhvilluar disa takime me grupe të ndryshme interesi, kemi vizituar dhe mjediset e tyre.

Duam të sigurohemi se po korrektojmë një gabim që është bërë. Kemi marrë dhe një shqetësim për të cilin ne jemi shumë të ndjeshëm, por së paku duhet të ishim serioz. Nëse jeni të shqetësuar, ejani në këto tryeza! Ka një qëllim të qartë ky ndryshim. Nuk kemi rënë dakord për aspektin teknik, por qëllimi është të korrektojë një gabim të bërë. Nuk druhemi të pranojmë që kur një gjë s’bëhet mirë, ta rregullojmë. Ju jeni të pagabueshëm!

Në rend dite është edhe projektligji për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna. Po ashtu pritet miratimi i fondit 100 milion lekë për financimin e zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Deputeti demokrat, Tritan Shehu foli në Kuvend për fondin që pritet të miratohet për partitë politike e tha se kjo është vjedhje.

Keni një projekt-vendim për fondet. Vjedhje masive mund të kalojë kjo çështje pa u diskutuar në Parlament. Eshtë krijuar një situatë e tillë ku po përfitohen paratë nga ca paterica, është një mashtrim i atyre dhe një vjedhje e qeverisë për t’i paguar.

Ndër të tjera, deputetja demokrate Ina Zhupa u ndal në Kuvend te atentati ndaj kreut të PD-së së Berishës në Vaun e Dejës, Benard Ndrecës. Zhupa e quajti “akt terrorist” në prag të nisjes së fushatës zgjedhore. Nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, kërkoi informacion për fazën ku janë hetimet.