Politikë

Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor, reagon Presidenti Meta

Kuvendi rrëzon dekretin e Presidentit Ilir Meta që ktheu për rishqyrtim ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara në fund të korrikut për listat e kandidatëve për deputetë e koalicionet. Nuk pati surpriza dhe siç u paralajmërua, në seancë u aprovua me 96 vota pro të Maxhorancës e një pjese të Opozitës Parlamentare.

Pasi Kuvendi rrëzoi dekretin për Kodin Zgjedhor, ka ardhur reagimi i presidentit Ilir Meta: “Asnjë surprizë nga Kuvendi një-partiak i inceneratorëve dhe mbetjeve”, shkruan Meta.

Më herët, Brukseli kishte kërkuar që para rivotimit të pritej opinioni i Komisionit të Venecias por kjo nuk ndodhi për të mos humbur kohë para zgjedhjeve të 25 prillit. Kryeministri Rama pati deklaruar se opinioni i Venecias është i mirëseardhur dhe se çështjet e ngritura do të adresohen në një kohë të mëvonëshme.