Bota

Ky vend miraton ligjin që dënon diskriminimin për shkak të peshës!

New York së fundmi ka miratuar një projektligj që dënon diskriminimin në bazë të peshës, duke iu bashkuar një lëvizjeje në rritje në SHBA për ta mbrojtur në të njëjtin nivel me racën dhe gjininë. Më shumë se 40% e të rriturve amerikanë konsiderohen obezë. Paragjykimi mund të sjellë kosto negative, të tilla si paga më të ulëta, veçanërisht për gratë.

Këshilltari i qytetit Shaun Abreu tha se diskriminimi i peshës ishte kthyer në një barrë për njerëzit. Këshilltari Abreu, tha se ai u bë më i vetëdijshëm për këtë çështje kur shtoi më shumë se 18 kilogramë gjatë karantinës dhe pa një ndryshim në mënyrën se si trajtohej. Masa pritet të nënshkruhet në ligj nga kryebashkiaku i Nju Jorkut këtë muaj.

Përpjekja mori mbështetje të gjerë, pavarësisht skepticizmit në disa qarqe. Udhëheqësi i pakicës në këshillin e qytetit të Nju Jorkut, Joseph Borelli, i cili është një republikan, tha për ‘New York Times’ se ishte i shqetësuar se ligji do të fuqizonte njujorkezët të padisin këdo dhe gjithçka.

Ndërkaq, vlen të theksojmë se vërejtja juaj është me qëllim të mirë ndaj personave obezë, por mund të ketë një efekt të dëmshëm në shëndetin fizik ose mendor të personit të cilit i drejtohet. Këtë ka pohuar mjekja Fatima Cody Stanford. Stanford shprehet se personave mbipeshë nuk duhet t’u thuash kurrë që jeni të shqetësuar për shëndetin e tyre.

Kur e thoni këtë, ju po pretendoni se personi nuk shqetësohet për mirëqenien personale edhe pse, në fakt, ai mund të shqetësohet jashtëzakonisht për shëndetin e tij. Ata kanë nevojë për maturi dhe ndjeshmëri, ashtu si çdo person tjetër. Stanford beson se nuk keni të drejtë të komentoni se çfarë ha një person, edhe nëse ai është partneri juaj, anëtar i familjes ose shoku juaj.