Aktualitet

Lamtumirë Vladimir Grillo! Shuhet ikona e gazetarisë sportive!

Ndërron jetë Vladimir Grillo! Gazetari dhe komentatori i njohur sportiv mbylli sytë sot në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Lajmin e dha miku i ngushtë dhe kolegu Dëfrim Met’hasani.

Shuhet ikona e ekranit per sportin Vladimir Grillo, gazetari dhe komentatori me të cilin ndava 25 vite të jetës sime. Humba një mik të shtrenjtë, ashtu si familja Grillo njeriun më të dashur të saj. Vërtet dhimbje e madhe. RTSH humbi simbolin sportiv dhe të mikrofonit. Sëmundja e rëndë e rrëzoi mjeshtrin e fjalës dhe komentit në moshën 74 vjeçare. U prehtë në paqe! Mungesa e tij do të na shoqërojë gjithë jetën.

Kush ishte Vladimir Grillo?

Pjesë e një familjeje të njohur, pjesëtarët e së cilës janë marrë shumë me letërsi, gazetari e histori, studimet e larta i përfundoi në Institutin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, në vitin 1969. Një vit më pas, më 1970-ën nisi rrugëtimin e gjatë në RTSH, fillimisht si Redaktor Kulture, para se të kalonte në atë që e bëri të njohur dhe prani të dashur për shqiptarët, Rubrikën Sportive, në vitin 1971.

Prej vitesh ishte në drejtimin e këtij transmetimi që mori përmasa të mëdha e karakterin e një shfaqeje me auditor. Pjesë e rëndësishme e Rubrikës u bë edhe humori, falë lidhjeve të vazhdueshme me Estradën e Vlorës.

Gjithashtu, në CV-në e pasur të Vladimir Grillos është emisioni Sport-Kalitje-Shëndet, që trajtonte problemet e sportit e transmetohej të mërkurave. Një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë në televizion sidomos në vitet kur duhej të merrje pëlqimin e Zyrës së Shtypit në Komitetin Qendror.

Në një intervistë të një viti më parë, tregonte se më 3 janar 1970, Drejtori i Përgjithshëm asaj kohe i Radio Televizionit Shqiptar, Thanas Nano e thirri në zyrë dhe e caktoi në detyrën e Redaktorit të Kulturës. Këtu nisi karrierën 38-vjeçare, në të cilën spikati për profesionalizmin ndërsa u dallua për zërin karakteristik në komentimin e shumë ndeshjeve me rëndësi historike.

Më 2 korrik 2020, në Ditën Ndërkombëtare të Gazetarisë Sportive, Vladimir Grillo me Ismet Bellovën, Besnik Dizdarin e Ahmet Shqarrin ishte pjesë e kuartetit të vlerësuar nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, si personalitete të shquara të radiokronikës e gazetarisë sportive, që në dekada kanë sjellë gëzim dhe emocione në familjet shqiptare. Kjo në periudhën kur sporti ishte ndër kënaqësitë e pakta në vend.

Grillo u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh”, “Për kontributin dhe vlerat e veçanta në përcjelljen me cilësi të veprimtarive sportive, duke promovuar arritjet në disiplina të ndryshme sportive, si një komentator sportiv i spikatur në Radio-Televizionin Shqiptar, me vlera estetike e qytetare”.

Redaksia e Informacionit në Top Albania Radio i shpreh ngushëllime familjes! U prehsh në paqe koleg!