Botë e Çuditshme

Lëvizi gurin 200-vjeçar në kufi me Francën, fermeri belg krijon “incidente” diplomatike?!

Kufiri mes Belgjikës dhe Francës, ka ndryshuar dhe kjo jo me një marrëveshje mes shteteve, por për shkak të gabimit të një fermeri. Ky fermer sot po përballet me akuza kriminale pasi ka lëvizur një gur 200-vjeçar që shënon kufirin e vendit me Belgjikën.

Guri kufitar besohet se është në vendin e tij që prej disfatës së Napoleonit në betejën e Waterloo, por fermeri e kishte zhvendosur atë sepse e pengonte në punën e përditshme me traktorin e tij.

Zhvillimi doli në dritë kur një historian amator i zonës doli një ditë një shëtitje në pyllin pranë fshatit belg të Erquelinnes dhe zbuloi se guri që daton prej vitit 1819 ishte zhvendosur me 2.29 metra. Gjithashtu edhe gardhi i perimetrit të fermerit ishte lëvizur.

Kufiri mes Francës e Belgjikës shtrihet në rreth 620km dhe është caktuar formalisht nga Traktati i Kortrijk në vitin 1820. Kryebashkiaku belg, David Lavaux, tha se fermeri është ligjerisht i detyruar të vendosë përsëri në vend gurin kufitar, pasi do të ishte më mirë të mos krijoheshin “incidente diplomatike”.

David Lavaux, kryetar i fshatit belg Erquelinnes, tha për kanalin televiziv “Francez TF1” se:

 

Ne nuk kemi qëllime të zgjerimit të qytezës dhe as të vendit. Me atë që bëri fermeri ka zmadhuar Belgjikën e ka zvogëluar Francën. Unë për vete do të isha dakord, por kryebashiaku i Bousignies-sur-Roc nuk është dakord.

Ndërkohë edhe Aurélie Welonek, kryebashkiake e fshatit francez kufitar Bousignies-sur-Roc, pranonte zgjidhjen diplomatike. Ajo tha me shaka për rrjetin ‘La Voix du Nord’ se:

Besoj se mund të evitojmë një luftë të re të kufijve.

Autoritetet lokale belge planifikojnë të kontaktojnë fermerin për t’i kërkuar atij që ta kthejë gurin në vendin e tij origjinal dhe nëse kjo nuk ndodh rasti mund të përfundojë në ministrinë e jashtme belge, e cila do të duhet të thërrasë një komision franko-belg për kufirin. Ndërkohë që fermeri mund të përballet me akuza penale nëse nuk arrin të respektojë kërkesën.