Aktualitet

Lëvizja e shtetasve në Shqipëri, rritet numri i hyrje-daljeve krahasuar me një vit më parë!

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat më të fundit për hyrjen dhe daljen e shtetasve shqiptarë apo atyre të huaj në/nga territori i Shqipërisë, për periudhën shtator, krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Instat-it, në muajin shtator kanë hyrë 1 milion e 651 mijë e 151 shtetas shqiptarë dhe të huaj në territorin e Shqipërisë. Ky tregues rezulton me një rritje 36,6 %, krahasuar me shtatorin e vitit 2022.

Instat-i thekson se numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në vend shtatorin e këtij viti është 546.961, pra 22,3 % më shumë krahasuar me shtatorin e 2022. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1 milion e 104 mijë e 190 persona, pra 45% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, sa iu përket daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shtator 2023 janë 1 milion e 714 mijë e 585, duke shënuar një rritje me 25%, krahasuar me shtatorin 2022.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Shtator 2023 janë 614.086. Krahasuar me Shtator 2022, ky tregues është rritur me 13,5%.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2023, janë 1.100.499. Krahasuar me Shtator 2022, ky tregues është rritur me 32,5%.

Në Shtator 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.059.798 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 29.236 dhe 8.958 shtetas.

Në Shtator 2023, krahasuar me Shtator 2022, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë:

–  rritje, për qëllime personale me 46,8 %;

– rritje, për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 46,1 %;

– rënie, për biznes dhe qëllime profesionale me 34,7 %.

Gjatë nëntëmujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.294.600; 29,0 % më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Ndërkaq, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë 9-mujorit 2023, është 5.191.839, 18,2 % më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.