Tech

Lidhet me postimin e fotove, Instagram prezanton funksionin e ri!

Rrjeti social Instagram së fundmi ka shtuar një veçori të re për përdoruesit e iOS që do ta bëjë më të lehtë postimin e fotove në Story. Aplikacioni tani vjen me një miniaplikacion që e hap drejtpërdrejt kamerën dhe i lejon përdoruesit të shkrepin foto ose video edhe kur telefoni i tyre është i kyçur. Kjo veçori u shtua pa bërë shumë bujë. Madje nuk kishte asnjë njoftim zyrtar nga kompania ose pronari i aplikacionit, Adam Mosseri.

Miniaplikacioni i quajtur Story Camera është një opsion i mirë për ata që nuk shqetësohen për cilësinë e imazhit, pasi thuhet se kualiteti i fotos që shkrepet me këtë funksion nuk do jetë i njëjti si i një fotoje të shkrepur nga kamera e telefonit. Funksioni është prezantuar javën e kaluar dhe pritet të arrijë te të gjithë përdoruesit e versioneve iOS 16 ose më të lartë ditëve në vijim. Ndërkaq, Instagram po punon edhe në shumë funksione të tjera të reja. Një raport i mëparshëm theksoi se kompania po sjell një veçori të quajtur Friend Map, e ngjashme me Snap Map.

Rikujtojmë, se gjiganti teknologjik Meta, ka njoftuar se nuk do t’u rekomandojë më postime politike përdoruesve në Instagram dhe Threads. “Ne duam që Instagram dhe Threads të jenë një përvojë e shkëlqyer për të gjithë. Nëse vendosni të ndiqni llogaritë me përmbajtje politike ne nuk futemi mes jush dhe postimeve të tyre, por ne gjithashtu nuk duam të rekomandojmë në mënyrë proaktive përmbajtje politike të llogarive që ju nuk i ndiqni”,-tha kompania në një postim.