Aktualitet

Ligjet i japin “OK” komisionit hetimor për shkarkimin e Metës, presidenti nuk shkon në seancë!

Komisioni i Ligjeve miraton propozimin për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta. 14 deputetë votuan pro ndërsa deputeti Adriatik Alimadhi ishte kundër raportit që do t’i dërgohet Parlamentit e ku argumentohet se kërkesa e 49 deputetëve socialistë për shkarkimin e Metës është legjitime dhe e bazuar në prova ndërsa i rekomandon seancës plenare ngritjen e Komisionit Hetimor.

Relatorja Klotilda Bushka deklaroi:

Kërkesa është në përputhje me bazën ligjore. Sa i përket çështjet substanciale Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutë.  Kërkesa për shkarkim është panorama e qartë e të gjitha shkeljeve që listohen atje, dhe kanë të bëjnë me shkelje flagrante para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit!

Sot në Komisionin e Ligjeve duhej të ishte i pranishëm presidenti Meta por përsëriti se është i gatshëm të paraqitet vetëm në datën 10 maj.

Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021. Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtatshëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!

Maxhoranca nuk e la pa interpretuar këtë përgjigje të Metës. Sipas deputetëve, “kjo është tentativë për të nxjerrë jashtë afateve punën e Komisionit dhe të Kuvendit,  pasi data përfundimtare është 9 maji, 4 muaj para përfundimit të legjislaturës më 9 shtator”. Kryetari i Ligjeve, Ulsi Manja tha se “po e bën qëllimisht” ndërsa deputeti Alket Hyseni e konsideroi “sjellje tipike opozitare të Metës, që duhet të dënohet”.