Bota

Lufta me COVID-in, më shumë të izoluar në Pekin!

Lufta me COVID-in, Pekini izolon edhe më shumë banorë. Në kryeqytetin kinez, autoritetet kanë kërkuar që një numër akoma më i madh njerëzish të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në kuadër të përpjekjeve të tre javëve të fundit për të kontrolluar shpërthimin e pandemisë së koronavirusit në Pekin. Shtatë zona janë bllokuar për të paktën një javë.

Aty përfshihet edhe një treg i ushqimeve me shumicë, i cili u vendos të mbyllej të shtunën e kaluar, për shkak të shtimit të rasteve të infektimeve. Nuk jepet afat për rihapjen e mundshme. Pjesa më e madhe e Pekinit nuk është në izolim, por bie në sy fakti se rrugët janë më të qeta se zakonisht, pasi shumë dyqane qëndrojnë të mbyllura dhe njerëzit u urdhëruan të punojnë nga shtëpitë.

Kufizimet e reja vijnë pasi Shangai, qyteti më i madh i Kinës, ka nisur të lehtësojë disa masa shtrënguese, pas më shumë se gjashtë javësh. Dy shpërthimet në Pekin e Shangai e kanë vënë fokusin te strategjia e Kinës për zero raste me COVID-19 dhe te kapaciteti për të ndalur hovin e infektimeve.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë njoftoi se një ditë më parë, vendi i madh aziatik regjistroi 1 mijë e 100 raste të reja me koronavirus. Referuar të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e tyre, rreth 800, u regjistruan në Shangai dhe 52 në kryeqytetin Pekin. Vendimi i zyrtarëve lokalë në Shangai që pavarësisht përmirësimit të situatës, heqja e kufizimeve të bëhet gradualisht, po shoqërohet me pakënaqësinë e banorëve, që nuk e fshehin zemëratën.

E në Azi jo vetëm në Kinë, edhe situata e infektimeve në Korenë e Veriut duket shqetësuese. Udhëheqësi komunist Kim Jong-un, kritikoi autoritetet shëndetësore e urdhëroi ushtrinë që të ndihmojë në shpërndarjen e ilaçeve. Kjo në kohën kur një valë infektimesh me koronavirus po zgjerohet në shtetin komunist. Mbi një milion njerëz janë prekur nga ajo që Pheniani e përshkruan thjesht si “temperaturë”. Zyrtarisht flitet për 50 viktima, por dyshohet për më shumë fatalitete.