Rajoni

Lufta me pandeminë, Kosova shtrëngon masat!

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër pandemisë së koronavirusit, ku mësimi në nivelin parauniversitar, përfshirë edhe nivelin parashkollor  do të pezullohet deri më 26 shtator. Ndërkaq në institucionet publike dhe private të arsimit universitar mësimi nuk do të mbahet me prezencë fizike të studentëve por online, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Sa i përket familjeve që kanë fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore, ku dy prindërit janë të punësuar, njëri prej tyre do të lirohet, që të paraqitet fizikisht në punë në periudhën 13-26 shtator.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media më 12 shtator tha se në masat, që hyjnë në fuqi më 13 shtator dhe do të jenë në fuqi deri më 26 shtator, përfshijnë edhe ofrimin e dëshmisë së vaksinimit apo testit PCR, antigen dhe serologjik për COVID-19, që qytetarët të mund të marrin pjesë në ngjarje të ndryshme.

Vitia po ashtu bëri të ditur se bibliotekat do të lejohen që të punojnë me 30 për qind të kapaciteteve dhe se të gjithë personat që duan të shkojnë në to, duhet të paraqesin dëshminë për vaksinim apo të prezantojnë rezultatet e testeve për COVID-19.

Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Që prej gushtit, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.