Bota

Lufta në Gaza/Izraeli vret tre djem të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh!

Sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës, u vranë tre djem të liderit politik të Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Hamasi njoftoi edhe se u vranë katër nipër e mbesa të liderit. Djemtë e Ismail Haniyeh ishin në mesin e figurave të profilit më të lartë, të vrarë deri tani në këtë luftë.

Izraeli njoftoi se djemtë e Haniyeh-ut vepronin si operativë të Hamasit, ndërsa Haniyeh akuzoi Izraelin se veproi “në frymën e hakmarrjes e të vrasjes”. Vrasja e tyre rrezikon të ndikojë në bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për armëpushim në Gaza. Bisedimet filluan të shënojnë përparim ditët e fundit, pavarësisht se mes palëve ende ka shumë dallime në çështjet kryesore.

Po ashtu, u ekzekutuan në kohën kur Izraeli po përballet me presion të madh, sidomos nga Amerika, për të ndryshuar mënyrën si po e kryen luftën në Gaza, në veçanti kur bëhet fjalë për ndihmat humanitare për të cilat kanë aq shumë nevojë palestinezët.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se beson se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po bën “gabim” në mënyrën si po e trajton Gazën.

Unë mendoj se kjo që po bën ai, është gabim. Nuk jam dakord me qëndrimin e tij!

Haniyeh u shpreh se “Hamasi nuk do të dorëzohet para presionit”.

Armiku beson se duke na sulmuar familjet do të na shtyjë të heqim dorë nga kërkesat e popullit tonë.  Kushdo që beson se sulmi ndaj djemve të mi do ta shtyjë Hamasin të ndryshojë qëndrimin e tij, gënjen veten.

Izraeli raportoi se djemtë e Haniyeh kanë kryer veprimtari militante në qendër të Rripit të Gazës, por nuk dha detaje të tjera. Ndërkaq, nuk komentoi fare për vrasjen e nipërve e mbesave të tij. Kryeministri Netanyahu është zotuar të arrijë “fitore të plotë” dhe se do t’i shkatërrojë Hamasit aftësitë qeverisëse e ushtarake për të parandaluar përsëritjen e sulmit të 7 tetorit 2023.

Luftën në Gaza, Izraeli e nisi si përgjigje për sulmin e Hamasit në jug të territorit izraelit, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Më shumë se 33.400 palestinezë janë vrarë në luftimet e pareshtura në Gaza, shumica gra dhe fëmijë referuar burimeve të Hamasit. Izraeli pretendon se ka vrarë 12 mijë militantë, por pa e provuar këtë.