Bota

Lufta në Ukrainë, Moska synon të izolojë rezistencën në lindje!

Rreth 4 muaj luftë në Ukrainë, që vijon nga 24 shkurti dhe forcat ruse vazhdojnë sulmet në rajonin lindor të Donbasit, duke u përpjekur të rrethojnë plotësisht ato të rezistencës ukrainase në qytetet e Lisiçanskut e Severodonjeckut, në rajonin Lugansk, pikërisht ku ndodhen dy qytetet fqinje. Sipas autoriteteve, forcat ukrainase po përballen me sulme të pareshtura artilerie në Lisiçansk.

Sergyi Gaiday, guvernatori i rajonit Lugansk raportoi:

Ushtria ruse po bombardon masivisht qytetin e Lisiçanskut. Po shkatërron çdo gjë. Ata shkatërruan ndërtesa e fatkeqësisht ka viktima.

Në përditësimin ditor të Inteligjencës britanike, sot thuhet se “rezultati i luftës në Ukrainë, kryesisht do të varet nga aftësia e palëve për të çuar njësi rezerviste në front”. Po ashtu, vë theksin te ato që i quan “humbje të jashtëzakonshme mes forcave separatiste të mbështetura nga Moska në Donjeck”.

Referuar shifrave të dhëna nga autoritetet separatiste, mbi 2 mijë e 100 ushtarë janë vrarë e 8 mijë e 900 të tjerë u plagosën, çka përbën rreth 55% të totalit të forcave ushtarake në rajon. Dyshohet të jenë të ngjashme edhe humbjet e trupave të Moskës, por që nga Kremlini nuk publikohen të dhëna zyrtare, që prej datës 25 mars.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky përsërit vazhdimisht se “situata ushtarake është shumë e vështirë”. Sipas tij, “ky është me të vërtetë vendi më i vështirë”, duke shtuar se “pushtuesit po bëjnë presion të fuqishëm”. Në Severodonjeck, ushtarët ukrainas vazhdojnë të rezistojnë në fabrikën kimike Azot. Rreth 500 civilë janë strehuar aty e forcat ruse akuzohen se po e kthejnë këtë zonë në gërmadhë.

Burime zyrtare në Kiev bënë të ditur se forcat ukrainase zmbrapsën një përpjekje zbulimi në Metyolkine, për të cilën Ukraina konfirmoi se u pushtua nga rusët. Kreu i administratës shtetërore rajonale të Kharkivit, Oleh Synegubov, tha se “të paktën 15 civilë u vranë në rajon nga bombardimet ruse të një dite më parë”.