Bota

Lufta në Ukrainë, Rusia rikthehet në jug e sulmon Mikolaivin me raketa!

Jo vetëm në lindje të Ukrainës, Rusia sulmon edhe jugun. Gjatë natës, Mikolaivi u godit me katër raketa ruse tokë-ajër të llojit S-300. Një person humbi jetën dhe 23 të tjerë u plagosën. Shënjestër ishin edhe objektet e banimit, përfshirë një pallat të lartë e dy shtëpi private. Lajmin e konfirmon presidenti Zelensky, ndërsa burime të administratës vendore pohojnë se një pjesë e Mikolaivit ka mbetur pa energji elektrike.

Armët me saktësi të lartë u përdorën për të sulmuar shtëpi private, një ndërtesë historike e një objekt të lartë.

Ndërkaq, ushtria ukrainase raporton se beteja për marrjen e kontrollit të Bahmutit po vazhdon. Prej kohësh tashmë, Bahmuti që gjendet në lindje të Ukrainës ka qenë epiqendër e ofensivës së forcave të Moskës. Në rajonin e Donjeckut, luftimet e ashpra kanë vazhduar në vijën e frontit Bahmut- Avdijivka-Marjinka. Nga trupat ukrainase, aty janë zmbrapsur 54 sulme 24 orët e fundit.

Serhiy Cherevatiy, zëdhënës i komandës lindore të ushtrisë, tha se forcat ruse po e rrafshojnë Bahmutin.

Rusët po shkatërrojnë ndërtesa në Bahmut për të parandaluar ushtarët tanë që t’i përdorin ato.

Një ditë më parë, kreu i grupit famëkeq rus të mercenarëve, Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha se ushtria ukrainase ka të ngjarë që në fillim të muajit të ardhshëm të nisë kundërofensivën e saj pranverore. Pala ukrainase nuk ka komentuar këtë deklaratë të Prigozhinit.

Në fillim-javë, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së denoncoi “shkatërrimin” e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të kryesuar nga ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, Antonio Guterres tha se “pushtimi rus është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe po shkakton vuajtje masive për popullin ukrainas”.

Guterres shtoi se bota po përballet me “kriza të pashembullta e të ndërlidhura”.

Tensionet mes fuqive të mëdha janë në një kulm historik. Po ashtu edhe rreziqet e konfliktit, nëpërmjet fatkeqësive apo llogaritjeve të gabuara.

Këtë muaj, Rusia mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit dhe organizoi takimin si një nga ngjarjet e shënuara të mandatit të saj.