Bota

“Luftë” me zjarret edhe në Itali e Spanjë!

Përveçse Shqipërinë, emergjenca e zjarreve nuk kursen as Italinë e Spanjën, ku po luftohet për të vendosur nën kontroll dhe shuar flakët në pyje. Në vendin fqinj, fillimisht ranë në zonën Carso pranë kufirit me Slloveninë. Për shkak të erërave të forta, zjarri u përhap duke shkaktuar mbylljen për trafikun në të dyja drejtimet në autostradën A4 që kalon në rajon.

Po ashtu, ndali transportin në hekurudhën Trieste-Venecia. Ishte një udhëtim me pengesa për ata që me automjete vijnë nga vendet e Europës veriore dhe i drejtohen Sllovenisë e Kroacisë për të pushuar. Ekipet zjarrfikëse përpiqen që flakët të mos përhapen drejt pikave të karburanteve. Gjithashtu, nuk mungojnë ndërhyrjet nga ajri me dy helikopterë e një avion të dërguar në zonë. Në pak ditë, ky është i dyti zjarr në zonën Carso. I pari u arrit të shuhej me vështirësi.

Po në Itali, një tjetër zjarr i madh ra në zonën Andria, brenda rajonit të Puglias në juglindje të vendit. Ka raportime se pishat në Castel del Monte, në afërsi të zonës Andria janë përfshirë nga flakët dhe se t’i shuar, po ndërhyjnë nga toka 100 zjarrfikës, si dhe dy avionë nga ajri. Për shkak të zjarrit janë evakuuar edhe disa banesa në rajon.

Zjarret janë intensifikuar në Galicia, në veriperëndim të Spanjës

Gazeta spanjolle “El Pais” bën të ditur se vazhdon puna për të shuar zjarret në 7 pika ku u shfaqën në fundjavë, në zonën Galicia, në veriperëndim të vendit. Rreth 700 persona u evakuuan, kryesisht nga zona Boiro në rajon. Nga zjarri në Boiro e përreth u dogj një sipërfaqe prej rreth 2 mijë hektarësh dhe zjarri në këtë zonë, ende nuk është vënë nën kontroll.