Auto & Moto Bota

Makinat elektrike, në qendër të luftës së re tregtare SHBA – Kinë!

Prodhimi në rritje i Kinës së makinave elektrike dhe teknologjive të tjera të gjelbra është kthyer në një betejë të re në luftën tregtare SHBA-Kinë. Këtë e nënvizojë Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen gjatë vizitës së saj pesë-ditore në Kinë, ndërsa kandidati kryesor republikan për President, Donald Trump e shfrytëzoi këtë çështje për të bërë fushatë.

Kina ka rritur ndjeshëm prodhimin e automjeteve të lira elektrike, baterive diellore dhe baterive të tjera në të njejtën kohë kur administrata e Presidentit Biden ka shtyrë para miratimin e legjislacionit që mbështet shumë prej industrive të njëjta në Shtetet e Bashkuara. Shqetësimet po rriten jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Evropë dhe Meksikë se Kina do të bëjë përpjekje të forcojë ekonominë e saj në vështirësi me një valë eksportesh që mund të dëmtojnë fabrikat në vendet e tjera.

Grupi tregtar, Aleanca për Prodhimin Amerikan, vuri në dukje në një raport të publikuar në muajin shkurt se prodhuesi kryesor kinez i automobilave BYD kishte prezantuar së fundmi një makinë elektrike SUV me çmimin çuditërisht të ulët prej 14,000 dollarësh.

Industria e automobilave në Kinë paraqet një kërcënim ekzistencial për prodhuesit amerikanë të makinave.

Ish-presidenti Trump, në një tubim në fund të muajit të kaluar në Ohajo, akuzoi Kinën se po bën përpjekje të eksportojë makina në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës. Shtetet e Bashkuara aktualisht zbatojnë tarifën 25% ndaj makinave nga Kina. Kjo tarifë ka arritur që kryesisht të bllokojë automjetet nga ai vend, por Meksika ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Ai premtoi se do të bllokonte importe të tilla me tarifa të reja, por sugjeroi se rizgjedhja e presidentit Biden do të nënkuptonte shkatërrim të industrisë së automjeteve.

Çfarë fshihet pas kësaj lufte të re tregtare midis SHBA-së dhe Kinës?

Pas më shumë se një dekade subvencionimi për prodhuesit e saj të automjeteve, Kina ka ndërtuar një industri të madhe makinash që përbën 60% të shitjeve globale të automjeteve elektrike, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë me bazë në Paris.

Megjithatë, vlerësimet tregojnë se kompanitë kineze po prodhojnë deri në 10 milionë automjete elektrike më shumë në vit sesa mund të shesin brenda vendit, sipas Aleancës për Prodhimin Amerikan. Kjo po i shtyn ato të shesin më shumë makina jashtë shtetit. Dinamika të ngjashme ekzistojnë në industri të tjera, të tilla si bateritë diellore,dhe bateritë e tjera.