Rajoni

Maqedoni e Veriut, Qeveria Zaev i shpëton rrëzimit!

Në Maqedoninë e Veriut, opozita nuk siguroi sot votat e nevojshme për ta rrëzuar qeverinë e kryeministrit Zoran Zaev. Parlamenti u mblodh në seancës për nismën, por u ndërpre me kërkesë të vetë opozitës. Deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi, prishi planet e partive opozitare. Në Facebook njoftoi se “nuk do të votonte rrëzimin e qeverisë”.

Duke pasur parasysh çastin politik, për hir të procesit dhe sinjaleve të forta nga partnerët strategjikë SHBA dhe Bashkimi Europian që më janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, vendosa që mos të marrë pjesë në seancën parlamentare ku duhej të merret vendim me të cilin do të vihet në pikëpyetje, ky pikësynim jetik kombëtar dhe shtetëror.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi sapo e hapi seancën, u largua për të mos u bërë deputeti i 61-të, meqë nuk e mbështet nismën, ndërsa drejtimin e seancës ia la nënkryetarit të Parlamentit, Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Nismës për rrëzimin e Qeverisë i duhen 61 deputetë nga 120 që ka Parlamenti. Nënshkrues të kësaj iniciative të ngritur nga VMRO-DPMNE-ja janë dy partitë shqiptare të opozitës: Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa që së bashku kanë 12 ligjvënës, Lëvizja Besa e cila ka tre deputetë, por me tërheqjen e Rexhepit i mbeten dy dhe partia maqedonase E Majta, me dy deputetët e saj.

Ndërkohë, VMRO-ja ka 44 ligjvënës, dy prej të cilëve, duke qenë në izolim për shkak të koronavirusit ishin vendosur në hapësira të veçanta të Parlamentit.