Rajoni

Maqedonia e Veriut me të parën presidente grua/Ja çfarë premton!

Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit. Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, dje fitoi balotazhin presidencial kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri tani president.

Në fjalimin e parë pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.

Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve të partive, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake.

Fqinjëve iu bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.

Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan dhe natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë.

Çfarë “Maqedonie krenare” premton?

Gjatë fushatës parazgjedhore, Silanovska-Davkova u paraqit si profesoreshë dhe si përfaqësuese e pavarur në parlament. Në programin e saj “Maqedonia është sërish krenare”, shkruan se Marrëveshja e Prespës, që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, “është çështje e hapur” dhe se në fjalimet para publikut, nuk do ta përdorë përcaktimin “e veriut” në emrin e shtetit.

Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës do t’i respektonte ato.

Ndryshime të tilla në Preambulën e Kushtetutës janë kusht për Maqedoninë e Veriut që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Brenda një afati prej dhjetë ditësh, Silanovska-Davkova, si presidente do t’i caktojë mandatin për formimin e qeverisë së re kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në parlament.

Silanovska-Davkova hyri në raundin e dytë zgjedhor si favorite, pasi në të parin më 24 prill kur gjithsej garuan shtatë kandidatë, fitoi dyfish më shumë vota se emri i përkrahur nga Lidhja Social-Demokrate, Stevo Pendarovski.

Në balotazh, Silanovska-Davkova siguroi 363.085 vota dhe Pendarovski 180.499. Ky ishte një rezultat krejt i kundërt në krahasim me duelin e tyre të parë zgjedhor në vitin 2019, kur fitoi Pendarovski.