Aktualitet

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Kushtetuesja: Shqyrtim me dyer të mbyllura!

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e 30 deputetëve të PD-së për të shqyrtuar në seancë plenare publike çështjen e marrëveshjes së emigracionit me Italinë. Ky refuzim sipas grupit parlamentar të PD, përbën shmangie të transparencës nga Gjykata Kushtetuese.

Transparenca e munguar nga Këshilli i Ministrave gjatë negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për emigrantët me Italinë, duket se vazhdon edhe gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, për sa kohë që publiku dhe mediat nuk kanë mundësi që të njihen me materialet e çështjes dhe të dëgjojnë qëndrimet e palëve, pyetjet e Gjykatës dhe përgjigjet e tyre, si dhe debatin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të premten kërkesën e Grupit Parlementar të PD që kërkojë shqyrtimin publik të kësaj çështje. Në përgjigjen e saj, Gjykata Kushtetuese shprehet se mbledhje e gjyqtarëve në datën 11.01.2024 ka vendosur që shqyrtimitë bëhet me dyer të mbyllura.

Në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese drejtuar kreut të grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, deputetëve Lindita Metaliaj, Elda Hoti,  Dhurata Çupi, Tomor Alizoti dhe avokat Marash Logu, përfaqësues me autorizim të 30 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, thuhet:

Në përgjigje të kërkesës suaj të paraqitur në datës 10.01.2024 në Gjykatën Kushtetuese, me objekt: “Kërkesë për shqyrtimin e çështjes në seancë plenare publike”, për çështjen me kërkues 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”, dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”, ju informojmë se:

Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim kërkesën tuaj të datës 10.01.2024 me vendimin e ndërmjetëm të datës 11.01.2024 ka vendosur rrëzimin e kërkesës për shqyrtimin e çështjes në seancë plenare publike.