Politikë

“Masakra” me adresat, shqiptarët vetëm një deputet në parlamentin serb

Shqiptarët do të përfaqësohen vetëm me një deputet në Kuvendin e Serbisë, zëri që do të flasë për ta do të jetë ai i Shaip Kamberit, i Koalicionit i Shqiptarëve të Bashkuar, i cili siguroi 0.3% të votave. Partitë shqiptare garonin me dy listë në këto zgjedhje, me gjithsej 20 kandidatë.

Për shkak të dallimeve politike, ato nuk arritën të gjejnë gjuhën e kompromisit për një listë të përbashkët, siç ndodhi në zgjedhjet e vitit 2020, kur shqiptarët e Luginës së Preshevës u bënë bashkë për herë të parë e fituan tre vende në Kuvendin e Serbisë.

Këtë radhë, me 0.09 për qind të votave, “Alternativa për Ndryshim” e Shqiprim Arifit mbeti jashtë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani evidentoi dhe një tjetër problem, që ka ndikuar duket në këtë rezultat.

Teksa reagoi me komentin se komuniteti ndërkombëtar “duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”, përmes një postimi në Twitter, ajo shprehu shqetësimin për mospjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.

“Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit me mjete administrative”, ka shkruar Osmani.

Politikanët shqiptarë në Luginën e Preshevës, kanë thënë më herët se prej vitesh, Serbia ka nisur të ashtëquajturin pasivizim të adresave të shqiptarëve që jetojnë në tre komunat jugore, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për të ndryshuar “strukturën etnike” të këtyre komunave. Në Serbi nuk ka numër të saktë të banorëve shqiptarë, pasi shqiptarët patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë të bërë më 2011.