Bota

Masakra në Moskë e ISIS-it me mbi 90 viktima, ja sulmet që kanë goditur Rusinë në vite!

Reuters

Një nga sulmet më vdekjeprurëse në 25 vitet e fundit u regjistrua mbrëmë në Rusi ku një komando personash të armatosur hapi zjarr pa mëshirë në një sallë koncertesh në afërsi të Moskës duke vrarë 93 persona. Masakrën e mori përsipër ISIS-i dhe autoritetet ruse të sigurisë arrestuan 11 vetë, të gjithë taxhikë. Katër prej tyre ishin pjesë e komandës që hyri në sallë. Sulmuesit ishin të armatosur me kallashnikovë e mbanin veshje kamuflazhi.

Duke nisur nga viti 1999 e më tej, brenda territorit të Rusisë kanë ndodhur disa sulme të mëdha:

1999 – Bombat shkatërruan blloqe apartamentesh në Moskë, Bujnaksk dhe Volgodonsk. Më shumë se 200 njerëz u vranë. Moska fajësoi çeçenët, por këta të fundit nuk i pranian akuzat dhe bënë fajtorë shërbimet sekrete ruse.

2002 – Rebelët çeçenë morën peng 700 persona në një teatër në Moskë. Kur forcat speciale ruse sulmuan ndërtesën, ishin 129 pengje dhe 41 luftëtarë çeçenë që humbën jetën, shumica e tyre nga efektet e gazit narkotik që forcat ruse përdorën për të nënshtruar sulmuesit.

2003 – Një shpërthim goditi një tren udhëtarësh jashtë stacionit Jesentuki në Rusinë jugore. Dyzet e gjashtë persona u vranë dhe 160 u plagosën.

2004 – Një sulm vetëvrasës në një tren nëntokësor në Moskë la së paku 39 njerëz të vrarë dhe më shumë se 100 të plagosur. Autoritetet fajësuan separatistët çeçenë.

2004 – Dy avionë rusë pasagjerësh u hodhën në erë pothuajse njëkohësisht nga kamikaze gra, duke vrarë 90 persona. I pari, Tu-134, teksa fluturonte për në Volgograd, u rrëzua në jug të Moskës. Pak minuta më vonë, Tu-154, në fluturim drejt Soçit, u rrëzua pranë Rostovit mbi Don.

2004 – Më shumë se 300 pengje, gjysma e tyre fëmijë humbën jetën në shkollën Nr.1 në qytetin e Beslanit, në Osetinë e Veriut pasi godina u kap nga rebelët që kërkonin pavarësinë e Çeçenisë dhe përfundimin e menjëhershëm të luftës atje.

2006 – Dhjetë njerëz u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një bombe në një treg në periferi të Moskës.

2009 – Shpërthimi i një bombe nxori nga shinat trenin Nevsky Express midis Moskës dhe Shën Pjetërburgut që kishte rreth 700 persona në bord. Së paku 26 persona humbën jetën dhe 100 u plagosën. Rebelët çeçenë morën përgjegjësinë.

2010 – Të paktën dy shpërthime goditën stacionet e metrosë në Moskë, duke vrarë 40 njerëz.

2011 – Më shumë se 30 persona u vranë dhe rreth 130 u plagosën në një sulm vetëvrasës në Aeroportin Domodedovo të Moskës.

2013 – Dy sulmues vetëvrasës vranë 34 persona në një stacion hekurudhor në qytetin e Volgogradit, më pak se dy muaj para se të fillonin Lojërat Olimpike Dimërore 2014, në Soçi.

2017 – 16 vetë, përfshirë një sulmues të dyshuar, u vranë kur një shpërthim goditi një vagon treni në një tunel metroje, në qytetin e Shën Pjetërburgut.