Bota

Masakra në një teatër të Moskës, rritet në mbi 80 numri i viktimave/ISIS merr përgjegjësinë!

Ka shkuar në mbi 80, numri i të vdekurve nga sulmi i djeshëm në afërsi të Moskës, i pretenduar nga ISIS-i, ndërsa Kievi tha se nuk është përfshirë. Tre fëmijë janë mes viktimave. Persona të armatosur me automatikë kallashnikov e me veshje kamuflazhi sulmuan një sallë koncertesh, në veriperëndim të qendrës së kryeqytetit rus, duke hapur zjarr pa mëshirë ndaj të pranishmëve.

Para se të arratiseshin, agresorët hodhën edhe granata e shishe ndezëse duke bërë që në pak minuta, e gjithë godina “të përpihej” nga zjarri. Rreth dy javë më parë, FSB-ja ruse pati njoftuar se kishte eliminuar një celulë të degës afgane të ISIS-it që po planifikonte një sulm të armatosur në kryeqytetin Moskë ndërsa Amerika paralajmëroi Rusinë mbi mundësinë e një sulmi.

Saktësohet se numri i viktimave të sulmit në auditorin e bashkisë Crocus në Krasnogorsk, qytet në rajonin e Moskës është rritur në 82 persona, duke përfshirë tre fëmijë. Kanalet ruse Telegram raportojnë 112 vdekje ndërsa kanali Baza, 80. Shifra e mëparshme ishte 60, por ka shumë persona të shtruar në spital në gjendje të rëndë dhe vijojnë inspektimet në godinën ku ra zjarri, i cili u shua thuajse tërësisht mëngjesin e sotëm.

Xi i dërgon ngushëllimet e tij Putinit

Presidenti kinez, Xi Jinping i ka dërguar ngushëllimet e tij, homologut rus, Vladimir Putin për sulmin terrorist në Moskë.

Media: Putin e quajti “shantazh” paralajmërimin e SHBA-ve

Presidenti Vladimir Putin pati hedhur poshtë paralajmërimet perëndimore për sulme të mundshme terroriste në Moskë duke iu referuar si “shantazh”, çka ndodhi vetëm disa ditë më parë. Ambasada amerikane në Rusi e dha alarmin në faqen e saj të internetit më 7 mars, duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin tubimet e mëdha në kryeqytetin rus, përfshirë koncertet, për 48 orët e ardhshme për shkak të sulmeve të mundshme terroriste.

I njëjti mesazh u mor edhe nga Ministria e Jashtme britanike në faqen e saj. Të martën e 19 marsit, Tass raportoi se “Putini e përcaktoi paralajmërimin e Perëndimit për sulme të mundshme terroriste në vend si “shantazh” të vërtetë”.

Mbi 470 persona luftuan me flakët

Mbi 470 persona u përfshinë në operacionet për shuarjen e zjarrit që shkatërroi sallën e koncerteve Crocus City Hall, të sulmuar mbrëmë nga një grup njerëzish të armatosur. Përmes një zëdhënësi, Ministria ruse e Emergjencave njoftoi:

Janë gjithsej 477 persona dhe 183 njësi pajisjesh të përfshirë, mes tyre 192 efektivë dhe 79 njësi pajisje nga Ministria e Emergjencave.