Aktualitet

Mbante mbyllur familjarët dhe i monitoronte me kamera, arrestohet 35-vjeçari në Tiranë (DETAJET)

Një 35-vjeçar është arrestuar këtë të premte në Tiranë, pasi mbante të mbyllur në banesë nënën, bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.

Sa herë që ai largohej, iu ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes.

Nga hetimet, ka rezultuar se kryefamiljari Jetnor Zhaboli, sa herë largohej nga banesa, i monitoronte me kamera dhe iu bllokonte valët e telefonit, duke mos i lejuar të komunikojnë me asnjë person.

Zhaboli ishte me profesion ekonomist. Prej fillimit te marrëdhënies ka qenë xheloz dhe kontrollues, por me kalimin e kohës u bë edhe më shumë.

Zhaboli kishte instaluar kamera në çdo cep të banesës madje edhe në dhomën e gjumit dhe në tualet dhe i monitoronte nga celulari, kur nuk ishte në banesë. Po ashtu kishte montuar bllokues valësh që familjarët të mos bënin telefonata të pa kontrolluara.

Kjo jetesë i kishte shkaktuar stres bashkëshortes së tij, e cila kishte tentuar vetëvrasjen. Në banesë policia gjeti dy letra që gruaja kishte shkruar për familjaret e saj, ku iu linte lamtumirën dhe u kërkonte falje.

Këtë dhunë e përjetonte edhe nëna e tij, e cila ishte e pafuqishme për të kundërshtuar të birin dhe për të mbrojtur nusen dhe nipërit.

Sipas burimeve, ai ishte i martuar prej 10 vitesh dhe ishte tejet xheloz për bashkëshorten, duke i ndaluar asaj çdo lëvizje.

Në polici nuk ka pasur një denoncim nga gruaja dhe nëna e tij, por agjentët kanë marrë informacion në rrugë operative dhe kanë ndërhyrë.

Mësohet se efektivët e Komisariatit nr. 1 trokitën në derën e Zhabolit, por ajo ishte e kyçur. Më pas kanë gjetur 35-vjeçarin, i cili i futi brenda në banesë.

Bashkëshortja e tij nuk ka thënë asnjë fjalë para hetusve. Ka qenë e ëma, H.Zhaboli, e cila ka treguar se i mbante të kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të tre. Bashkëshotja e Zhabolit për shkak të situatës nuk është në gjendje të mirë psikologjike.

Burime bëjnë me dije se ka dyshime që Zhaboli të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim për të përcaktuar situatën e tij mendore.

Njoftimi i policisë:

Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve, në DVP Tiranë, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje.

Mbante të mbyllur në banesë nënën, bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, sa herë që ai largohej, duke ju ndaluar komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme, ndaj bashkëshortes, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në DVP Tiranë, pas informacionit të marrë se një shtetas, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, nënën dhe vajzën e tij, sa herë ai largohej nga banesa, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, u arrestua shtetasi J. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesë, së bashku me nënën dhe vajzën e tyre të mitur.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 35-vjeçari, sa herë largohej nga banesa, i monitoronte me kamera dhe ju bllokonte valët e telefonit duke mos i lejuar të komunikojnë me asnjë person.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshën Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.