Aktualitet

Mbi 2.6 milion vaksinime anti-COVID në vend/Intensifikohen apelet për t’u vaksinuar!

Deri sot, në total janë kryer 2 milion e 628 mijë e 883 vaksinime anti-COVID në vendin tonë, referuar shifrave që jep Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Një ditë më parë u kryen 5 mijë e 617 vaksinime. Gjithashtu, nga mjekët e familjes janë evidentuar 41 qytetarë shqiptarë të vaksinuar plotësisht jashtë vendit, nëpërmjet certifikatave të vaksinimit (apo 82 vaksinime të aplikuara jashtë vendit).

Numri total i vaksinimeve të raportuara, përfshin edhe ato të qytetarëve shqiptarë të kryera jashtë vendit dhe që janë të regjistruara në sistemet tona të integruara, për t’u dhënë të gjithëve mundësinë për të përmbushur procesin e vaksinimit në Shqipëri ose jashtë vendit.

Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.

Çdo qytetar mbi 16 vjeç, mund të vaksinohet në qendrën shëndetësore ose në pikën më të afërt të vaksinimit të përqendruar. Vaksinimi është i hapur edhe për fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar, me rekomandim nga mjeku.

MSHMS apelon qytetarët që kanë kaluar 6 muaj nga kryerja e dozës së dytë të vaksinës, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqendruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese. Vaksinat anti-COVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Në Austri sot hyri në fuqi ligji që i bën të detyrueshme vaksinimet anti-COVID për pjesën më të madhe të popullatës. Presidenti Alexander Van der Bellen e nënshkroi, pas miratimit nga Parlamenti. Injektimi vlen për moshat 18-vjeç e lart, me përjashtim të grave shtatzëna dhe atyre që kanë probleme shëndetësore specifike. Nga mesi i muajit të ardhshëm, shkelësit do të gjobiten deri në 3 mijë e 600 euro.

Gjermania po përballet me një ngadalësim të ritmit të vaksinimit kundër koronavirusit. Të paktën 266 mijë doza u administruan dje ndërsa të premten e javës së kaluar ishin 428 mijë e 375, nga rreth 589 mijë dy javë më parë.