Bota

Mbi 90 viktima nga masakra e Moskës/11 të arrestuar nga autoritetet ruse!

U rrit në 93 numri i viktimave të sulmit në afërsi të Moskës, i marrë përsipër nga ISIS-i ndërsa Ukraina u distancua nga çdo përfshirje. Mes të vrarëve janë edhe tre fëmijë. Burra të armatosur me automatikë kallashnikov e me veshje kamuflazhi hynë në Sallën e Bashkisë Crocus, një sallë koncertesh në veriperëndim të qendrës, duke hapur zjarr. Para se të arratiseshin me një Renault të bardhë, hodhën edhe granata e të tjera mjete shpërthyese, duke i vënë flakën ndërtesës.

Lidhur me sulmin e përgjakshëm u bënë 11 arrestime, siç njoftoi Kremlini. Mes tyre janë 4 terroristë të përfshirë drejtpërdrejt në sulm. Pasaportat e Taxhikistanit u gjetën në makinën e përdorur për arratisje. Shtetet e Bashkuara kishin paralajmëruar Moskën për mundësinë e një sulmi.

Sipas të dhënave të para nga hetimet, viktimat ndërruan jetë nga plagët me armë zjarri dhe nga lëndët djegëse. Drejtori i shërbimeve ruse të sigurisë FSB i raportoi presidentit Vladimir Putin prangosjen e 11 personave. Ndërkaq, katër terroristët e dyshuar, të gjithë nga Taxhikistani, janë të moshave 21, 29, 37 e 51-vjeç.

Makina e tyre nuk u ndal duke mos iu bindur policisë dhe u përpoq të arratiset. Gjatë ndjekjes forcat e rendit hapën zjarr e automjeti u përmbys. Krahas pasaportave të qytetarëve taxhikë, në autoveturë u gjetën edhe një pistoletë e një karikator për pushkë AKM.

Sipas burimeve të inteligjencës ruse, katër terroristët e dyshuar nga Taxhikistani janë identifikuar me emrat Nasridinov Makhmadrasul, 37 vjeç, Ismonov Rivozhidin, 51 vjeç, Safolzoda Shokhinjonn, 21 vjeç dhe Nazarov Rustam, 29 vjeç.

Makina e agresorëve u gjet në distriktin Karaçi, rajoni Bryansk. Këtë e ka konfirmuar deputeti rus Alexander Khinshtein.

Presidenti rus, Vladimir Putin i pati hedhur poshtë paralajmërimet perëndimore për sulme të mundshme terroriste në Moskë duke iu referuar si “shantazh”, çka ndodhi vetëm disa ditë më parë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Rusi e dha alarmin në faqen e saj të internetit më 7 mars, duke këshilluar qytetarët amerikanë të shmangin tubimet e mëdha në kryeqytetin rus, përfshirë koncertet, për 48 orët e ardhshme dhe kjo për shkak të sulmeve të mundshme terroriste. Putin e konsideroi këtë si një shantazh perëndimor e nuk i mori seriozisht sinjalet e dhëna.