Bota

Mbytet varka me emigrantë në brigjet e Tunizisë, të paktën 20 të zhdukur!

Të paktën 20 emigrantë u zhdukën sot pasi varka e tyre u mbyt në brigjet e Tunizisë.

Roja bregdetare shpëtoi 17 persona, dy prej të cilëve janë në gjendje kritike, sipas një gjyqtari nga qyteti bregdetar tunizian i Sfax, Fauzi Masmoudi, raporton Reuters.

Emigrantët u përpoqën të arrinin në Itali me anije përmes Mesdheut.

Mbytja e anijes pranë Tunizisë është e fundit në një varg tragjedish në rrugën qendrore të Mesdheut, e cila konsiderohet si më vdekjeprurësja në botë.

Vetëm një muaj më parë, presidenti tunizian Kais Saied mbajti një fjalim kundër migrantëve nga Afrika Sub-Sahariane që dynden në Tunizi, përpara se të përpiqeshin të kalonin në Evropë, duke i akuzuar ata për shkaktimin e një vale krimi.

Komentet e tij shkaktuan një valë dhune kundër emigrantëve dhe pronarëve të tokave, të cilët nga frika e gjobave, dëbuan qindra njerëz, të cilët tani janë duke qëndruar në çadra në rrugët e kryeqytetit.

Bregdeti pranë qytetit të Sfax, kohët e fundit është bërë një pikë kryesore nisjeje për shumë migrantë nga Afrika dhe Lindja e Mesme.