Aktualitet Gossip

Michel: Nëse RMV-ja i thotë ‘po’ propozimit francez, hapen negociatat!

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në një postim në Twitter theksoi se duhet të nisin bisedimet për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut po vendos për veten e saj tashmë dhe se e ardhmja e saj është në BE.

 “Javën e kaluar, Këshilli i BE-së paraqiti një zgjidhje kompromisi të rishikuar. Kjo është një zgjidhje e ekuilibruar që adreson shqetësimet tuaja kryesore. Qëllimi është i qartë: Nisja e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut. Dhe më në fund të ecim përpara për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët në BE.

Ju jeni duke vendosur për të ardhmen tuaj. Maqedonia e Veriut bën pjesë në BE. E ardhmja juaj është me ne. Së bashku jemi në prag të një përparimi të mundshëm në procesin e anëtarësimit të vendit tuaj në BE”, shkruan Michel.

“Nëse thoni po, atëherë Konferenca e Parë do të organizohet në ditët e ardhshme dhe do të zbatohet vendimi i marsit të vitit 2020 dhe do të fillojë procesi për hapjen e negociatave. Vendimi  për këtë është te ju dhe është vendimi juaj. Kjo mundësi nuk duhet lënë anash, asnjëherë nuk kemi qenë kaq afër. Maqedonas, kemi mundësinë t’i thoni po hapjes së negociatave dhe po Bashkimit Evropian”, u shpreh Michel.

Sipas tij, propozim francez është një zgjedhje e balancuar për të dyja vendet, teksa shtoi se kjo ruan identitetin dhe gjuhën maqedonase.